TIRANË- Deputeti socialist Ben Blushi deklaroi në kuvend se Maqedonia nuk është një shtet demokrat dhe se shqiptarët atje jetojnë në krizë përfaqësimi. Blushi e ka quajtur të frikshme dhe të dënueshme situatën në Kumanovë dhe tha se Maqedonia i plotëson të gjitha kushtet për ta quajtur demokraci autokratike. Por nga foltorja e parlamentit Blushi ka folur edhe për vizitën e Presidentit turk, Erdogan në Tiranë.

“Ajo që ndodhi në Kumanovë ishte e frikshme dhe e dënueshme. E frikshme për shkak të pasojave që mund të sjell për Maqedoninë si shtet dhe për popullin. Në perspektivë cenon edhe atë pak besim reciprok që shqiptarët dhe maqedonasit kanë prej 20 vitesh. Maqedonia problem delikat për demokracinë e vetë. Maqedonia nuk është një shtet demokrat. Shtypen liritë, liria e fjalës, montohen procese të paqena kundër shqiptarëve. Maqedonia i plotëson të gjitha kushtet për ta quajtur demokraci autokratike. Ballkani nuk e rrezikon thatësira, por korrupsioni, shkelja e ligjit dhe kushtetutës. Ballkanin e rrezikon nevoja për të qëndruar në mënyrë të pamerituar siç është rasti i Maqedonisë. Demokracia është ilaçi i çdo konflikti qoftë edhe konflikt etnik. Shqiptarët jetojnë në krizë përfaqësimi”, tha Blushi, duke i kërkuar Presidentit Nishani të zhbllokojë emërimet e ambasadorëve dhe të dekretojë ambasadorin shqiptar në Maqedoni.
“Sot të mbështesim demokratët në Maqedoni të vërtetët, me siguri që mund të ketë. Këto ditë na ka munguar më shuam seç duhet, ne nuk jemi të përfaqësuar në Maqedoni, mbahet bllokuar nga Presidenti emërimi i ambasadorit shqiptar atje. Është e padrejtë që bllokohet ambasadori atje dhe të tjerët në bllok. Është e padrejtë, nëse ka sot emergjencë që Presidenti të zhbllokojë emërimet që ka marrë peng”,-tha ai.

Deputeti i PS-së ka reaguar ashpër kundër kerkesës se presidentit turk Erdogan për mbylljen e institucionit arsimor që ai e cilësoi organizatë terroriste, duke theksuar se kjo kërkesë në këmbim të dhuratës së bëre me Xhamine e Madhe eshte e papranueshme, baraz me vasalitet, cenim i integritetit kombëtar dhe si e tille duhet refuzuar unanimisht.

““Sot do të ngre edhe një çështje tjetër e cila nuk mund ti ikë besoj vëmendjes së këtij Parlamenti. E kam fjalën për vizitën e Presidentit Erdogan dje në Tiranë. Unë mendoj se kjo ishte një vizitë e mirë, e duhur në kohën e duhur dhe është koha, dita dhe vendi për të falënderuar Presidentin turk, popullin turk për dhuratën që i bëri Komunitetit Mysliman Shqiptar me xhaminë e Namazgjasë. Jam i bindur që nga dje shumë shpirtra myslimanësh në të gjithë Shqipërinë ndihen më të çliruar për shkak se në fund fare kanë mundësi të kenë foltoren e tyre të mohuar për 70 vjet. Megjithatë, ajo që mendoj unë, është se në përgjithësi ne si popull duhet të kishim ngritur me paratë tona, kishat dhe xhamitë tona. Kisha dhe xhamitë nuk janë si rrugët dhe si urat, janë pasuri shpirtërore dhe çdo popull i bën me paratë e veta, edhe duke kursyer. Mu duk dje sikur në këmbim të kësaj dhurate presidenti turk kërkoi një shkëmbim. Dhurata nuk shkëmbehet. Ai kërkoi mbylljen e një organizate, sipas tij terroriste, që vepron në Turqi, vepron edhe në Shqipëri. Ne e dimë për kë flet. Unë nuk kam parë organizatë terroriste në botë që nuk vret. Në Shqipëri nuk kemi parë vrasje nga një organizatë që presidenti turk e quan terroriste. Na kërkon ta zhdukim për interesat e tij. Kjo është arsyeja për të folur në këtë Parlament dhe prandaj po flas, na vë ne në pozitë të vështirë dhe për mua të papranueshme, të një vasaliteti. Këtë nuk mund ta pranoj’, ­ tha Blushi. Sipas tij, Shqipëria njeh dhe ka detyrimin të njohë për organizata terroriste listën e hartuar nga OKB, e asnjë tjetër dhe kushdo që përcakton listën e terroristëve në vendin tonë nuk është e pranueshme e duhet refuzuar.

“Sepse ne nuk jemi koloni turke dhe në shkëmbim të një dhurate nuk mund të cënojmë liritë dhe krenarinë tonë kombëtare. Mesa di kërkesa e Presidentit turk është për të mbyllur disa shkolla në Tiranë. Ju e dini apo jo? Bëhet fjalë për të mbyllur shkolla, shkolla që kur janë hapur në turqi apo në Shqipëri para 10 apo 15 vjetësh ishin krenaria e arsimit turk dhe në një kuptim mesa di unë jam informuar ka ndihmuar me mijëra fëmijë shqiptarë që në kushtet kur arsimi ynë u trondit këto 20 vjet, të merrnin arsimin e duhur. Me aq sa di, ato kanë plotësuar kriterin minimal të cilësisë dhe laicitetit. Sigurisht ka arsye për të mbyllur shkolla në Shqipëri. Ka shkolla që nuk paguajnë taksa, ka shkolla që janë kioska, ka shkolla që nxisin urrejtjen fetare, ka shkolla që nuk plotësojnë minimumin e kushteve për tu hapur apo për të operuar, ka shkolla që nuk respektojnë parimin e laicitetit dhe këto janë arsye për të mbyllur një shkollë. Por që dikush vjen dhe në shkëmbim të një dhurate që na bëri dje kërkon të mbyllim disa shkolla sepse sipas tij i ka financuar kundërshtari i tij politik kjo nuk mund të pranohet dhe kjo nuk mund të pranohet dhe kjo nuk duhet të pranohet. Askush nuk mund të vijë këtu dhe të na kërkojë të zbojmë kundërshtarët e tij për arsye politike. Ajo që më intereson është liria jonë për të vendosur. Kjo nuk është kërkesë për tu pranuar. Nuk mund të pranohet. Prandaj them që kërkesa e djeshme ishte e tepërt”, tha Blushi.

FJALA E PLOTE

Ajo që ndodhi këtë javë në Kumanovë ishte e frikshme, ishte edhe e dënueshme. Ishte në një masë të konsiderueshme shumë e frikshme për shkak të pasojave që mund të sjellë ajo mbi fatin e Maqedonisë si shtet dhe sigurisht dy popujve që jetojnë atje, shqiptarëve dhe maqedonasve. Unë vetë mendoj që ajo që ndodhi në Maqedoni, që ndodhi në Kumanovë, përveçse ishte dhuna policore ndaj civilëve të pafajshëm për të kapërcyer një moment kritik që ka Qeveria e Maqedonisë sot, sigurisht në perspektiv cenon edhe atë pak besim reciprok që shqiptarët dhe maqedonasit kanë në Maqedoni prej gati 20 vitesh.

Besoj që Maqedonia ka sot një problem delikat me demokracinë e vet. Maqedonia, më vjen keq ta them, nuk është një shtet demokratik. Aty shtypen të drejtat e opozitës, shtypen liritë civile, liritë etnike, liria e fjalës, sabotohen kundërshtarët politikë, inskenohen akte të padrejta ndaj atyre që mendojnë ndryshe nga qeveria, montohen procese të paqena kundër shqiptarëve, kundër opozitës në përgjithësi. Me një fjalë Maqedonia i plotëson të gjitha kushtet sot për ta quajtur një demokraci autokratike.

Ballkani fatkeqësisht e ka këtë farë që mbin herë pas here. Ka një fat të keqe në Ballkan që nuk është shkulur dhe nuk po shkulet sepse Ballkani siç e dini nuk e rrezikon thatësira, e rrezikon korrupsioni më shumë, nuk e rrezikon mungesa e ujit, e rrezikon shkelja e ligjit dhe kushtetutës. Ballkanin nuk e rrezikon dhuna apo luftërat etnike më, por cënimi i demokracisë. Ballkanin e rrezikon vetëm një sëmundje akoma, nevoja për të qëndruar në pushtet në mënyrë të pamerituar siç është edhe rasti i Maqedonisë.

Kjo po ndodh sot në Maqedoni. Nëse atje demokracia do të ishte shumë më e shëndetshme nga ç’është sigurisht edhe shqiptarët, edhe maqedonasit do të jetonin shumë më mirë dhe në harmoni me njeri tjetrin. Demokracia në fund fare është ilaçi i çdo konflikti qoftë ai, edhe konflikt etnik. Por rasti i Kumanovës dëshmoi edhe më shumë se kaq, dëshmoi se shqiptarët në Maqedoni jetojnë në një krizë përfaqësimi, pra kanë krizë besimi ndaj qeverisë që i drejton, kanë edhe një krizë përfaqësimi në raport me partitë shqiptare që kanë zgjedhur. Për fat të keq ata nuk besojnë te partitë e tyre.

Ne nuk mund tu themi sot atyre se cilën parti të besojnë, kë të zgjedhin, kush është më e mira nga të dyja, nga të tjera apo nga disa parti shqiptare që janë në Maqedoni. Ajo që mund të bëjmë padyshim si shtet, si parlament, është që të mbështesim ata që nuk mbështesin aktet jodemokratike në Republikën e Maqedonisë. Në mund të mbështesim demokratët në mes të shqiptarëve të Maqedonisë. Sigurisht, shqiptarët kanë dëshmuar se kanë aftësi dhe ka shumë demokratë se si çdo popull i vuajtur kanë shpirt, kanë kurajë, kanë lirinë e mjaftueshme për të dalluar çfarë e dallon demokracinë nga dhuna. Pa dyshim, Maqedonia është një rast për ta kuptuar.

Prandaj them që ajo që mund të bëjmë ne sot është të mbështesim demokratët ndër shqiptarët e Maqedonisë, demokratët e vërtetë që mund të ketë atje dhe sigurisht që ka. Thënë këto, do them edhe diçka që këto ditë na ka munguar më shumë se ç’duhet. Ne nuk jemi të përfaqësuar në Maqedoni. Ka rreth 6 muaj që Presidenti mban të bllokuar kandidatin e Qeverisë për ambasador në Shkup. Pavarësisht nga arsyet që mund të ketë Presidenti është e padrejtë që bllokon në bllok të gjithë kandidatët e qeverisë për ambasador. Dhe ky rast është tipik sepse Republika e Shqipërisë në këtë kohë konflikti në Maqedoni nuk ka askënd për ta përfaqësuar, për të folur, për të komunikuar, për të lexuar. Është e padrejtë dhe nëse ka sot emergjencë që presidenti të zhbllokojë emërimet që ka marrë peng është rasti i Maqedonisë dhe shpresoj ta bëjë sa më shpejt.

Sot do të ngre edhe një çështje tjetër e cila nuk mund ti ikë besoj vëmendjes së këtij Parlamenti. E kam fjalën për vizitën e Presidentit Erdogan dje në Tiranë. Unë mendoj se kjo ishte një vizitë e mirë, e duhur në kohën e duhur dhe është koha, dita dhe vendi për të falënderuar Presidentin turk, popullin turk për dhuratën që i bëri Komunitetit Mysliman Shqiptar me xhaminë e Namazgjasë. Jam i bindur që nga dje shumë shpirtra myslimanësh në të gjithë Shqipërinë ndihen më të çliruar për shkak se në fund fare kanë mundësi të kenë foltoren e tyre të mohuar për 70 vjet. Megjithatë, ajo që mendoj unë, është se në përgjithësi ne si popull duhet të kishim ngritur me paratë tona, kishat dhe xhamitë tona. Kisha dhe xhamitë nuk janë si rrugët dhe si urat, janë pasuri shpirtërore dhe çdo popull i bën me paratë e veta, edhe duke kursyer. Pavarësisht nga kjo ne nuk e patëm këtë mundësi dhe duhet ta falënderojmë popullin turk për xhaminë e Namazgjasë. Ajo që doja të thoja unë është diçka tjetër në fakt. Mu duk dje sikur në këmbim të kësaj dhurate presidenti turk kërkoi një shkëmbim. Dhurata nuk shkëmbehet.

Ai kërkoi mbylljen e një organizate, sipas tij terroriste, që vepron në Turqi, vepron edhe në Shqipëri. Ne e dimë për kë flet. Unë nuk kam parë organizatë terroriste në botë që nuk vret. Në Shqipëri nuk kemi parë vrasje nga një organizatë që presidenti turk e quan terroriste. Na kërkon ta zhdukim për interesat e tij. Kjo është arsyeja për të folur në këtë Parlament dhe prandaj po flas, na vë ne në pozitë të vështirë dhe për mua të papranueshme, të një vasaliteti. Këtë nuk mund ta pranoj. Jam i bindur se këtu shumica, burra e gra në këtë Parlament nuk mund ta pranojnë. Shqipëria e njeh dhe ka detyrimin të njohë organizata terroriste, vetëm atë listë organizatash të shpallur nga Organizata e kombeve të bashkuara.

Asnjë president, kryeministër, kushdo qoftë ai që përcakton listën e terroristëve turq apo shqiptarë në vendin tonë, kjo nuk është e pranueshme, prandaj duhet ta refuzojmë. Sepse ne nuk jemi koloni turke dhe në shkëmbim të një dhurate nuk mund të cënojmë liritë dhe krenarinë tonë kombëtare. Mesa di kërkesa e Presidentit turk është për të mbyllur disa shkolla në Tiranë. Ju e dini apo jo? Bëhet fjalë për të mbyllur shkolla, shkolla që kur janë hapur në Turqi apo në Shqipëri para 10 apo 15 vjetësh ishin krenaria e arsimit turk dhe në një kuptim mesa unë jam informuar ka ndihmuar me mijëra fëmijë shqiptarë që në kushtet kur arsimi ynë u trondit këto 20 vjet, të merrnin arsimin e duhur.

Me aq sa di, ato kanë plotësuar kriterin minimal të cilësisë dhe laicitetit.

Sigurisht ka arsye për të mbyllur shkolla në Shqipëri. Ka shkolla që nuk paguajnë taksa, ka shkolla që janë kioska, ka shkolla që nxisin urrejtjen fetare, ka shkolla që nuk plotësojnë minimumin e kushteve për tu hapur apo për të operuar, ka shkolla që nuk respektojnë parimin e laicitetit dhe këto janë arsye për të mbyllur një shkollë. Por që dikush vjen dhe në shkëmbim të një dhurate që na bëri dje kërkon të mbyllim disa shkolla sepse sipas tij i ka financuar kundërshtari i tij politik kjo nuk mund të pranohet dhe kjo nuk mund të pranohet dhe kjo nuk duhet të pranohet. Ne nuk jemi palë në konfliktin politik që ka Turqia, ne nuk jemi palë në atë konflikt. Askush nuk mund të vijë këtu dhe të na kërkojë të zbojmë kundërshtarët e tij për arsye politike. Unë nuk mbroj askënd, as atë që e tha, as ata që kundërshtojnë atë që e tha. Nuk më intereson fare. Ajo që më intereson është liria jonë për të vendosur. Kjo është ajo që më intereson.

Ai që dje tha të mbyllen disa shkolla, si e tha këtë? E tha si një vlla? E tha si një mik? Keni parë ju vlla apo mik që thotë mbyllni shkollën? Unë nuk kam parë. Po si e tha, e tha si baba? Në qoftë se ne si komb do kishim një baba, të parit do ti takonte Skënderbeut, Ismail Qemalit të dytit. Ne nuk kemi baballarë jashtë Shqipërisë. Kjo nuk është kërkesë për tu pranuar. Nuk mund të pranohet. Prandaj them që kërkesa e djeshme ishte e tepërt. Parlamenti i Shqipërisë, Presidenti, kryeministri, qeveria, e kuptoj pozitën ku janë por nuk mund ta pranojnë. Nuk mund ta pranojnë në asnjë mënyrë sepse e thashë nuk jemi dhe nuk mund të jemi koloni turke. Ne nuk jemi koloni e askujt. Për të mos u bërë palë në një konflikt demokrat, ose jo, nuk ka rëndësi, në Turqi besoj që është dita për ta refuzuar kolektivisht këtë kërkesë. Të jeni të bindur, siç do thoshte presidenti Erdogan, nuk do jemi pishman dhe nuk duhet të jemi pishman sepse mbrojmë liritë dhe krenarinë tonë kombëtare.

 

(m.k/BalkanWeb)

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: