TIRANË- Në emisionin “Kjo Javë” të Nisida Tufës në News 24, gazetari investigativ Artan Hoxha zbërthen gjithë dëshminë e dhënë nga Renato Milloshi dhe tregon një vërtetë të frikshme për dy grupet kriminale të Jani Aliajt e Elton Ciços, (i ekzekutuar), kur tha se hakmarrja mes tyre mund të vazhdojë për shkak se këto grupe janë aq të fuqishme dhe kanë para pafund që i përdorin për tu hakmarrë.

Ai tha më tej se ata janë aq të rrezikshëm sa kanë informatorë të SHISH, polici e Prokurori e dinë me saktësi lëvizjet e rivalëve.

“Është një grup i ashpër me kapacitete të mëdha financiare, janë akuzuar, janë arrestuar si të dyshuar për trafik të lëndëve narkotike. Kanë një inat dhe hakmarrje me njeri-tjetrin se kanë pasur njohje. Nëse kujtoni vrasjet në rrugën e Kavajës, apo ngjarjeve në Tropojë Nëse kanë njohje urrejtja bëhet më e fortë. Zotërojnë burime financiare të mëdha nga rrugë të paligjshme, kanë një rrjet miqësor dhe shoqëror në nivele të administratës, policisë dhe SHISH, pra të dyja palët kanë lidhje me persona që janë në SHISH, prokurori”,- tha Hoxha.

Madje edhe dorëzimin e Milloshit, Hoxha e lidh me frikën e ekzekutimit nga grupi rival. Ai thotë se Milloshi me dëshminë e dhënë po përpiqet t’i shpëtojë akuzës si bashkëpunëtor në vrasje.

Gazetari foli më tej edhe për faktin se pse kishte zgjedhur ai kryeqytetin për tu fshehur.
“Një nga vendet më të mira për një person që ka probleme me drejtësinë për tu fshehur është Tirana, sidomos periferia. Nuk ka sistem adresash posta, jo më policia. Gjithë ky fluks, policia nuk e filtron dot Tiranën. Zonat ku ka qëndruar Milloshi janë zona e Saukut, zonë rezidenciale ku rrinë shtresa e mesme dhe e lartë e shoqërisë edhe tek Kodra e Diellit si edhe pranë zonës së Kristal. Nëse mbahet nën kontroll ish-Blloku do çuditeshit për problematikat që kanë ata që rrinë aty, kanë kontakte me njerëz të pushtetshëm, prandaj them që edhe Milloshi ka bërë një zgjidhje kaq logjike për vendin që ka zgjedhur”,- shton gazetari.

EKZEKUTIMET E BUJSHME
Një sagë atentatesh e vrasjesh që duket se nuk do të mbarojë kurrë është cilësuar ajo mes grupeve të Jani Aliajt e Elton Çiços i ekzekutuar më 1 maj të vitit të kaluar. Shkak për këtë hakmarrje mes 2 tepelenasve, dyshohet të ketë qenë vrasja e shokut të fëmijërisë së Elton Çiços nga Jani Aliaj, por nuk përjashtohet prishja për pazaret në fushën e narkotikëve në Greqi ku të 2 grupet ushtronin aktivitetin e paligjshëm.

Në fshatin Zhabakin, në qershor të vitit 2000, Jani Alia goditi për vdekje me thikë E. Ballazhiun 20 vjeç, shoku i fëmijërisë së Elton Çiçës, bashkëmoshatar i tij. Në atë moment autori i kësaj vrasjeje nuk dihej dhe Çiço ishte angazhuar për ta gjetur. Në 2003 Çiço arrestohet në Greqi dhe përballet në burg me Jani Aliajn të dy të arrestuar për drogë.

Pas një konflikti në burg Çiço plagos në ajrim me një thikë të improvizuar Aliajn. Disa kohë më vonë të dy tepelenasit përfitojnë ulje dënimi dhe dalin nga burgu grek nga ku vijojnë atentatet mes tyre edhe në Shqipëri.

Më 30 mars 2015 tre persona grabisin dhe dhunojnë në Tepelenë prindërit e Elton Çiços duke marrë një shumë të vogël parash. Grabitja kishte ndodhur pas disa punimeve duralumini që prindërit e Çiços kishin bërë në shtëpi. Çiço këtë e mori si një mesazh për të dhe jo si një grabitje të thjeshtë prandaj u betua për hakmarrje.

Pas identifikimit të 3 autorëve Çiço u vu në ndjekje të tyre.
Më 10 qershor 2015 në zonën e njohur si “Ish-këneta” në Durrës u ekzekutua Robert Rama, autor i grabitjes në Tepelenë, i shpallur në kërkim nga policia. Por fajësia e Çiços nuk u provua nga policia.
Më 4 maj 2015, autorit të dytë tq grabitjes, ai që dyshohej të kishte bërë transportin deri në shtëpinë e prindërve të Çiços, Elvis Imerit i vihet një sasi eksplozivi në makinën e marrë me qira.

Eksplozivi u vu re nga Imeri para se të ndizte makinën duke i shpëtuar kështu atentatit. Por atentatet ndaj tij vazhduan dhe në 9 dhjetor të 2015 i vihet eksploziv vëllait të tij Elton Imerit, ish-ushtarak, i cili për shkak të shpërthimit humbi njërën këmbë por fatmirësisht i shpëtoi vdekjes.

Më 10 janar 2016 Jani Aliaj u tentua të ekzekutohej nga Elton Çiço. Aliaj u qëllua disa herë nga një makinë në lëvizje por asnjë plumb nuk e kapi. Nga kjo ngjarje mbeti i plagosur lehtë vetëm një kalimtar i rastit.

Atentatet ndaj tij vijuan dhe në Gjirokastër, ku më 25 prill 2016 përsëri u qëllua nga një makinë në lëvizje dhe mbeti i plagosur lehtë në dorë. Për ngjarjen ai nuk denoncoi në polici duke thënë se nuk kishte konflikte me njeri.

Vetëm 1 javë më vonë, më 1 maj 2016 në një lokal në Bllok ekzekutohet me 2 plumba Elton Çiço. Për ngjarjen policia shpalli si autorë Jani Aliajn dhe Renato Milloshin.
Pas vrasjes së Elton Çiços, miqtë e tij, mes tyre Andi Mustafaraj premtuan hakmarrje.

Vetëm 4 muaj pas vrasjes së Çiços, dhe pak kohë pas mesazhit të Mustafarajt, më 21 gusht të këtij viti rreth orës 15:35 në një lokal në afërsi të ish-Parkut të Autobusëve në Tiranë iu bë atentat me armë Nelgert Patës, i cili njihet si mik dhe bashkëpunëtor i Jani Aliajt.

Për shkak të disa bimëve dekorative që kishte lokali, Nelgert Pata i shpëtoi fushëpamjes së atentatorit dhe mbeti i plagosur lehtë në vesh. Menjëherë pas ngjarjes Pata u largua në drejtim të paditur.
E njëjta skemë është ndjekur edhe në atentatin me armë ndaj Andi Mustafarajt me 28 tetor te një lokal në zonën e Ish-ekspozitës. Ai është mbajtur në vëzhgim derisa ka zbritur nga makina është ulur në kafe, dhe aty u qëllua 3 herë me armë duke mbetur i plagosur.

Vrasja e tretë është kjo e sotmja e 34-vjeçarit Nelgert Pata, mik i Jani Aliajt dhe rival i grupit të Elton Çiços. Pata u ekzekutua sot në makinën e tij dhe u gjet vetëm pak minuta më vonë nga policia. Po ashtu në periferi të Fierit policia gjeti një makinë të djegur që dyshohet se ishte e autorëve.

vijon

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb