TIRANE – Ish- nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Enno Bozdo akuzon kryeministrin Rama se po mburret me punët e kryera nga Lulzim Basha, kur ishte kryebashkiak i Tiranës.

Duke iu referuar deklaratës së Ramës për rikonstruksionin e gjimnazit ‘Qemal Stafa’, Bozdo theksoi se investimi për këtë shkollë është nisur më 22 shkurt 2015, kur në krye të Bashkisë ishte zoti Basha.

“Pas bulevardit të ri radha i ka ardhur një tjetër projekti të realizuar dhe nisur zbatimin nga ish kryebashkiaku Lulzim Basha. Sot Edi Rama u krekos si gjeli majë plehut me shkollën Qemal Stafa një investim i nisur me 22 shkurt 2015. Në fakt s’ka faj se është në pikë të hallit. Bilanci i tij i investimeve është zero, papunësia është shtuar, ekonomia në krizë, mijëra biznese të falimentuar ndërsa taksat janë rritur çmimet janë rritur, çmimi i energjisë, naftës etj. Shkolla Qemal Stafa, një investim prej rreth 152 milionë lekësh, është inicuar, projektuar dhe ka nisur zbatimin nga administrata Basha. Dështimi i Edi Rames nuk fshihet dot duke u mburrur me punët e të tjerëve.”- deklaroi Bozdo.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot në rrjetin social “Facebook” foto nga rikonstruksioni i gjimnazit “Qemal Stafa” në Tiranë, ku shkruante: “‪#‎RilindjaUrbane‬ në Arsim. Gjimnazi “Qemal Stafa” në Tiranë më në fund me godinën europiane që meritojnë nxënësit fantastikë dhe mësuesit shembullorë të kësaj shkolle me tradita e kontribute të mëdha në breza. #‎Rilindje‬. #‎ShqipëriaeGjeneratësTjetër‬”.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb