TIRANE- Në kuadër të 21 Marsit, Ditës Botërore të Sindromës Down, çelet sot ekspozita e piktores më të re me sindromën Down, Irma Nika.

Irma Nika lindi në Dragu të Bulqizës, në korrik të vitit 1997. Aktualisht jeton në Bulqizë me prindërit e saj, motrën dhe vëllain. Irma ka lindur me sindromën Down.

Ajo filloi të frekuentojë Qendrën e Arritjeve dhe të Zhvillimit pranë Fondacionit Down Syndrome Albania (DSA), në pranverë të 2015. Pasi u vu re talenti i saj në vizatim, piktori vullnetar në DSA, Markel Capo, nisi kurset e personalizuara të pikturës me Irmën për ta aftësuar atë në përdorimin e telajos dhe penelëve.

Gjatë një viti Irma realizoi 17 piktura. Ajo ka udhëtuar drejt Tiranës çdo të shtunë për të ndjekur kursin e pikturës. 8 punimet e saj u ekspozuan dhe në Ballon Presidenciale 2015, ku ajo ishte e ftuar nderi. Deri më sot Irma ka shitur 4 piktura, ndërsa dy të tjera ia ka dhuruar Zonjës së Parë të Shqipërisë, Odea Nishani dhe Zonjës së Parë të Turqisë, Emine Erdogan, në vizitën e tyre pranë Qendrës së Arritjeve dhe Zhvillimit.

Me talentin dhe vullnetin e saj, Irma ka dëshmuar se çdo gjë është e mundur. Ajo është kthyer në frymëzim për shumë prindër të fëmijëve me sindromën Down dhe një model për t’u ndjekur. Kjo ekspozitë do të realizohet nga Fondacioni “Down Syndrome Albania” (DSA), me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe GALERIAKALO.
(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: