TIRANE– Përmes një artikulli rrjeti amerikan CNN ka renditur Shqipërinë si një ndër 17 vendet më tërheqëse për t’u vizituar gjatë vitit 2017. Mes 17 shteteve nga më të veçanta të botës, si Australia, Kina, Bermudet, Kanadaja, Kenia, Kolumbia, Franca, Irlanda, Islanda, Malajzia, Tajlanda etj., “CNN” ka këshilluar turistët nga e gjithë bota që të mos lënë pa vizituar as Shqipërinë, duke e ilustruar atë me një foto nga plazhi i Durrësit, si dhe duke e cilësuar atë si një ndër destinacionet më të veçanta në rajonin e Ballkanit, në Evropën Jug-Lindore.

“Dikur një nga vendet më të izoluara, Shqipëria është një vend i vogël mesdhetar ku do të gjeni, diell, çmime të lira dhe plazhe të paprekura kilometër pas kilometri”, thuhet në artikullin e CNN. Më tej, shtohet se ushqimi shqiptar ngjan me atë grek, por çmimet janë shumë më të lira sesa në vendin fqinj.

Në lidhje me shkrimin e CNN ka reaguar edhe kryeministri Rama në Facebook, i cili thotë se ky artikull tregon se Shqipëria po rritet cdo dite e më shumë.

“Mbase këta që e rendisin Shqipërinë në 17 destinacionet për t’u vizituar këtë vit, dinë të shohin atë që jo pak ndër ne nuk duan ta shohin tek ky vend, i cili po rritet çdo vit e më shumë si vend turistik jo vetëm sepse është i bukur po edhe sepse po flitet çdo vit e më mirë për të”, lexohet në postimin e kreut të qeverisë.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: