TIRANE– Komisioni i Ekonomisë nuk ka mundur t’u shmanget debateve të forta për çështje të aktualitetit, siç është dhe zgjedhja e Kryeprokurores së përkohshme. Demokratët akuzojnë Arta Markun se po vepron nën urdhrat e kryeministrit dhe për interes të tij.

“Nëse qeveria kishte nxitim kaq të madh për të gjetur një Kryeprokuror të njëanshëm duke mos përfshirë ashtu siç e thotë Kushtetuta, PD dhe opozitën, për një ndryshim kushtetues atëherë veprimet e saj që nga dhjetori deri më sot tregojnë se është emëruar nga PS dhe thjesht varet nga kryeministri, duke marrë vendime për të bërë presion për të gjitha dosjet që PD ka 4 vjet që denoncon. Faktet janë që Prokurori i Përgjithshëm i përkohshëm sot është duke marrë të gjithë vendimet që intereson kryeministrit”, tha Tabaku.

Deputetes demokrate iu kundërpërgjigj kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Brace. Ai sfidoi hapur prokurorët e larguar nga Arta Marku, duke deklaruar se jep dorëheqjen nëse kanë hetuar kryetarët e bashkive të lidhur me PS.

“Nëqoftëse ju më thoni tani që në prokurorinë e Durrësit është regjistruar procedim penal përkundrejt kryetarit të bashkisë së Durrësit unë jap dorëheqjen dhe largohem. Nëqoftëse ju më thoni që ky prokurori i Elbasanit, që në dijeninë time ka nxjerrë policët në tentativë vrasjeje dhe vrasësit i ka nxjerrë nën akuzën e tejkalimit të vetëmbrojtjes, ka regjistruar procedim penal për kryetarin e bashkisë së Elbasanit unë jap dorëheqjen. Dhe ai zotëria nëqoftëse ka regjistruar procedim penal dhe po heton për këta të dy patjetër çohem unë dhe iki nga këtu”, tha Braçe.

Këto deklarata u bënë në Komisionin e Ekonomisë teksa diskutoheshin disa ndryshime në projektligjin për Këshillin Ekonomik Kombëtar, i cili u miratua vetëm më votat e mazhorancës që të kalojë në varësi të Ministres së Shtetit për Mbrojtjen dhe Sipërmarrjen.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb