* Dekorimet, ne kemi nisur me urgjencë punën për ndryshime në ligj

TIRANE- Pas publikimit të lajmit të gazetarit Tedi Blushi në “Gazeta Shqiptare” se është dekoruar për 29 Nëntorin me “Medaljen e Mirënjohjes”, agjenti i Sigurimit të Shtetit, Shyqyri Çoku, i cili është edhe hetuesi i dy figurave të shquaraAt Zef Pllumi dhe Sami Repishti, vjen dhe ndjesa e parë e qeverisë.

Kryeministri Edi Rama i kërkoi sot falje publikisht familjarëve të At Zef Pllumit dhe Sami Repishtit për dekorimin e hetuesit Shyqyri Çoku, ndërsa pranoi se qeveria nuk ka gabuar padashje, por se kjo ka ardhur si rrjedhojë e ligjit për statusin e veteranit, të miratuar në kohën kur Sali Berisha ishte, President, siç tha ai.

Rama shtoi se ky ligj e kishte bërë Çokun prej 25 vitesh veteran dhe se tashmë kishte hyrë në kategorinë e parë. Kryeministri bëri përgjegjës Berishën për atë që e quajti parakalim të minjve të regjimit për 20 vite, para shtetit demokratik.

“Kam sot detyrimin t’i kërkoj të falur për tronditjen që i ka sjellë medalja e marrë prej torturuesit të Sami Repishtit dhe At Zef Pllumit, për këdo tjetër dhe gjithë familjarët e tyre. Kërkoj ndjesë. Ne nuk kemi gabuar padashje. Ndjesa e detyrueshme edhe pse krejt padashje. Ne, qeveria jonë jemi bërë pjesë e një historie shumë të zymtë kur prej vitesh hileqarë, kokëtrashë janë përfshirë, po kjo s’ka nisur vjet, por shumë kohë më pare. Torturuesi famëkeq nuk e ka marrë për herë të parë vjet shprehjen e mirënjohjes si veteran lufte. Ai, po jo vetëm ai, sivllezër dhe simotra të tijët të llojit të torturuesve…përfshi edhe vetë Nexhmije Hoxhën janë nderuar prej kohësh..sado absurde t’ju duket kjo. Ministria e Mbrojtjes ka nxjerrë vendimin për dhënien e këtyre medaljeve duke iu referuar kategorisë së parë, kjo do të thotë se kategoria e parë është përcaktuar me ligj shumë kohë më pare. Askush, asnjëherë për arsye të mistrshme nuk ka marrë mundimin të shohë kush përfshihet, iu është hapur rrugë minjve të regjimit të parakalojnë për 20 vite para shtetit demokratik. Në ‘94 kryefalsifikatori më i madh në histori ishte President i Republikës kur dekretoi ligjin 7874, kur dekretoi ligjin për statusin e veteranit. Ai është ligji që përcakton statusin. Në ‘95 qeveria e këtij përcudnuesi të paskrupullt miratoi vendimin 190 të datës 3/5/94 që rregullon administrativisht ligjin për veteranët. Këtu është zanafilla e medaljes për toruturuesin famëkeq dhë padër Zefin. Ky skandaloz që është fatkeqësia që na shoqëron si mallkim i Parisë së Punës, e kemi pasur majë më majë e shteg më shteg, nuk ka lënë të vdekur e të gjallë pa përbaltur, jo vetëm dosjet nuk i hapi kurrë, por asgjësoi dhe dëmtoi sa mundi me mashat e SHIK, as të pëndjekurve nuk i bëri kurrë respektin e pëndesës shtetërore”,- sqaroi Rama.

“BERISHA E LA TORTURUESIN TË USHQEHET ME PENSION EKSTRA NGA TAKSAPAGUESIT”
Kryeministri Rama ja ka deleguar të gjitha përgjegjësitë paraardhësit të tij për dekorimin e ish-agjentëve të sigurimit dhe punonjësve në kohën e diktaturës. Ai tha se Berisha ‘i ka strehuar si skuth nën çatinë e veteranëve të kategorisë së parë, duke i fshehur në radhët e veteranëve të luftës Nacionalçlirimtare’.

“Në vendimin nr 34 të 6.5.1996 Berisha i ka dhënë statusin e veçantë të veteranit të klasit të parë, hetuesit të patër Zefit. Medalja që ky zanatçi i sherrit dhe rrëmujës që e përdor sot si provë për të na kriminalizuar ne dhe për të joshur të verbrit që i shkojnë pas, është vënë në zbatim të ligjit nr. 7874 dekretuar nga ky vet si president i Republikës së Shqipërisë dhe sot është kapur pas kësaj medaljeje si i marri pas hijes së vetë dhe ulërin dhe bërtet pas 20 vitesh për medaljen e një torturuesi të cilit prej 20 vitesh me firmën e tij, taksapaguesit i paguajnë pension ekstra. Atëherë për ça meritash ja dha atëherë statusin e lartë të veteranit të atdheut torturuesit të patër Zefit dhe profesor Sami Repishtit? Si ka mundësi që kaq e kaq vite në pushtet, na e paska lënë këtë torturuesin të ushqehet me pension pa nxjerrë asnjë llaf goje, as për atë dhe as për të tjerë që janë në listën e veteranëve dhe të dekoruarve. Këto janë pyetje retorike siç është edhe pyetja pse ky antikomunist i zjarrtë e pati në dorë 5 vjet si president dhe 8 vjet si kryeministër t’i hapte dosjet, por jo vetëm që nuk i hapi por e la Shqipërinë krah Rusisë?”, tha Rama.

Kryeministri deklaroi se ‘medaljet e dhëna për 70-vjetorin ku fatkeqësisht është edhe kjo medalje nuk ka asnjë lloj motivimi në emër të etërve siç thotë ai’.

“Ministria e Mbrojtjes nuk ka pasur asnjëherë as përgjegjësinë për përmbajtjen e asaj liste, as detyrimin ligjor për të gërmuar në të kaluarën e tyre. Lista është përpiluar nga një komision që e ka ngritur ky. Ministria e Mbrojtjes ka bërë thjesht një veprim mekanik, kategorisë së parë i jepet kjo medalje. Ne kemi nisur me urgjencë punën për ndryshime përkatëse në ligj, që ky qorrsokak të shembet njëherë e mirë dhe askush të mos e pësojë siç e pësuam ne që ramë në këtë qorrsokak. Kjo figurë emblematike e Partisë së Punës importoi si metoda nga PP tek PD, në Presidencë, në Kryeministri dhe kudo ky shkeli dhe pati mundësi të hapte gojën. Ky është një episod, por ndodhin çdo ditë. Të kriminalizosh tjetrin me çdo çmim, kur tjetri të del përpara, të bëhet pengesë, ishte metoda e Partisë së Punës dhe është metoda e këtij akuzatori të paepur dhe këtij falsifikatori të paparë. Ky kriminalizim ka shkuar shumë larg dhe është kthyer në politikë. Fjalët hajdutë, kriminelë, mafioz në Shqipëri janë bërë si buka e gojës. Nuk ka ide të re që nuk kriminalizohet në rast se është e tjetrit. Nuk është vetëm politika që ka pësuar këtë bombardim të përditshëm, por edhe shoqëria edhe media. Lumenj të tëra opinionesh, analizash që burojnë nga bindje të tëra me të dëgjuar”, tha kreu i qeverisë.

(ma.ar/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: