TIRANE– Detaje të reja dalin në dritë pas arrestimit të punonjësit të policisë Baki Ballhysa, me detyrë tek Patrulla e Përgjithshme, pranë pikës së bllokimit të automjeteve të sekuestruara, në Komisariatin e Policisë Kavajë, i cili akuzohet se vodhi celularin nga makina e një viktime.

Mësohet se celulari i vjedhur tip ‘Samsung J5’ i përket studentes së mjekësisë Jonisa Toromani, 23 vjeçe, nga Lushnja, e cila humbi jetën si pasojë e aksidentit në datën 1 mars 2017.

Aksidenti ndodhi në rrugën Kavajë-Lushnjë, te rreth-rrotullimi i ’Bishtit të Zhurit’, ndërsa studentja në vitin e pestë në Fakultetin e Mjekësisë udhëtonte me mjetin tip “Benz” së bashku me motrën e saj B.T, 21 vjec, si dhe drejtuesin Alvi Rrasa, 25 vjeç të cilët mbetën të plagosur. Edhe pse Jonisa Toromani u dërgua në Spitalin e Lushnjës ajo nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të marra.

Policia për ngjarjen ka arrestuar drejtuesin e mjetit, Alvi Rrasa, 25 vjeç, banues në Elbasan.

“Punonjësi i policisë Baki Ballhysa, prej një muaji ishte nën hetim nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë, në kuadër të referimit penal dërguar nga ana e SHÇBA-së në datë 14 prill 2017, pasi dyshohej se gjatë ushtrimit të detyrës kishte marrë një telefon celular, nga një automjet i përfshirë në një aksident me pasojë vdekje në datën 1 mars 2017”- thuhet në njoftimin e policisë.

Polici u arrestua pas ankesave të familjarëve të viktimës të cilët konstatuan se të afërmes së tyre që humbi jetën i mungonte celulari.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb