DEVOLL- Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me ngjarjen e ndodhur një ditë më parë në fshatin Braçanj të Devollit. Policia e Korçës ka zbardhur dhe dokumentuar ngjarjen e rëndë, ku pas një konflikti me sende të forta gjeti vdekjen një person dhe u plagos një tjetër.

Tre emigrantët shqiptarë u sulmuan dhe u goditën me sende të forta dhe më pas u janë marrë sendet personale. Viktimë e kësaj ngjarjeje ka mbetur 44-vjeçari Zarif Alliu nga fshati Vërdovë i Pogradecit.

Specialistët e Sektorit për Krimet e Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, bënë të mundur arrestimin e shtetasit David Myrte, 25 vjeç, banues në fshatin Braçanj-Devoll.

Sakaq, në pranga u vu edhe njëri prej të dëmtuarve, pasi akuzohet për “Deklaratë të reme përpara oficerit të Policisë Gjyqësore”.

“Arrestimi i shtetasit David Myrte u bë pasi më datë 18.03.2017, në afërsi të fshatit Braçanj, pas një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me mjete të forta shtetasit:
• Z.A, 39 vjeç, banues në fshatin Vërdovë Pogradec,
• D.T, 39 vjeç, banues në Vreshtas- Maliq dhe shtetasin
• Mendar Burnazi, 42 vjeç, banues në Nizhavec Pogradec.

Si pasojë e plagëve të marra, ka gjetur vdekjen në Spitalin e Korçës, shtetasi Z.A, si edhe mori mjekimin e nevojshëm shtetasi Mendar Burnazi.

Në vijim të hetimeve për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje, u bë arrestimi edhe i këtij të fundit shtetasit Mendar Burnazi, pasi dyshohet të ketë deklaruar të dhëna të rreme përpara organeve policore, për mënyrën e ndodhjes së ngjarjes”, thuhet në deklaratën e policisë.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprat penale: “Vrasja me paramendim” dhe “Plagosja e rëndë me dashje, kryer në bashkëpunim” si edhe “Deklaratat e rreme përpara oficerit të Policisë Gjyqësore”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: