VLORE– Detaje të tjera kanë dalë në dritë pas kapjes së një gomoneje me kanabis në Vlorë, ditën e djeshme. Në deklaratën zyrtare të policisë, sqarohet se mjeti lundrues është kapur në Gjirin e Anglezit, pranë Karaburunit, dhe ishte gati për të transportuar drogën drejt Italisë.

Në operacionin policor ku morën pjesë Delta Forcë, Policia e Shtetit dhe Forcat detare, u bllokua gomonia 7.2 m e gjatë me plot 750 kg kanabis. Sipas policisë, lënda narkotike ishte ndare në 57 pako të përmasave të ndryshme, e mbështjellë me plastike.

Siç raportoi një ditë më parë, “BalkanWeb”, lënda narkotike ishte transportuar nga pas Karaburunit me mushka.

Mjeti u gjet i braktisur, pasi trafikantët u larguar sapo pikasën se ishin zbuluar nga policia.

NJOFTIMI I POLICISË
Sekuestrohen 750 kilogramë lëndë narkotike Cannabis Sattiva në Gadishullin e Karaburunit dhe bllokohet një mjet lundrues!

Policia Kufitare Vlorë në bashkëpunim me DVP Vlorë dhe Delta Forcë, GdF kanë realizuar një operacion të përbashkët mbi bazën e të cilit kanë bllokuar një mjet lundrues në det, si dhe një sasi të konsiderueshme me lëndë narkotike të dyshuar si Cannabis Sattiva pranë “Gjirit të Anglezit”, Karaburun.
Pesha totale e lëndës narkotike ka rezultuar prej 750 kilogramë e dyshuar e llojit Cannabis Sattiva.

Lënda narkotike ishte e ndarë në 57 pako të përmasave të ndryshme, mbështjellë me plastikë dhe të shpërndara në breg të detit, gati për t’u trafikuar nëpërmjet mjeteve të shpejta lundruese drejt Italisë.

Mjeti lundrues tip gomone me gjatësi 7.2 m, me dy motora të markës Yamaha 300 KF dhe 25 KF, u bllokua në cilësinë e provës materiale në Portin e Repartit Delta Force, Radhimë.

Vijon operacioni i përbashkët nëpërmjet kërkimeve nga toka dhe uji me qëllim dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes dhe identifikimin dhe kapjen e autorëve në lidhje me këtë veprimtari kriminale.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: