Nënkryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Dorian Teliti, i ftuar në studion e News24, ka folur në lidhje me protestat e opozitës kundër kryebashkiakut Veliaj, me rastin e fundit që ndodhi sot.

Teliti u shpreh se protesta e opozitës ka në qëllimin e saj të vetëm dorëheqjen e Veliajt dhe zbardhjen e të vërtetës për dosjen 5D.

Sa i përket veprimtarisë së protestuesve që më herët janë kritikuar edhe nga ndërkombëtarët në vend për përdorimin e molotovit, Teliti tha se është e drejta e çdo qytetari të përdorë mjetet e mosbindjes civile në mënyrë demokratike.

“Protesta ka në qëllimin e saj të vetëm dorëheqjen e kryebashkiakut të Tiranës dhe zbardhjen e të vërtetës për aferën 5D. Ne përballemi me një heshtje totale. Ne i kërkojmë kryetarit të bashkisë të japë llogari për milionat e kësaj afere, inceneratorëve, etj. Aty ka pasur edhe nëna që qanin për djemtë e tyre të arrestuar, pensionistë me 0 lekë në xhep, etj. Nuk kemi akoma një ndjesë nga ana e kryebashkiakut, përkundrazi kemi lavdërime për punën e tyre. Protestat karakterizohen nga mosbindja civile. Kemi parë protestat në Belgjikë, Francë që kanë qenë edhe më masive. Është e drejta e çdo qytetari të përdorë mjetet e mosbindjes civile në mënyrë demokratike në protestë”, u shpreh ai mes të tjerash.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb