TIRANE- Një ditë pas supergrabitjes së radhës, kësaj here në rrugën e Rinasit, ku 5 persona të veshur me kamuflazh grabitën 7 thashë me para të një banke të nivelit të dytë, që po transportoheshin me dy blinda drejt aeroportit “Nënë Tereza”, të tjera detaje zbulohen nga ngjarja, që ndodhi në vetëm 2 minuta.

Gazetarja Dorjana Bezat bën me dije për “BalkanWeb” se policia në vendngjarje ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale: 13 gëzhoja, model 64 dhe model 56, 2 automjetet e Shoqërie Private të Sigurisë Fizike dhe 2 automjetet e djegura plotësisht, të dyshuara të përdorura nga autorët. Po sipas saj, të 13 gëzhojat janë qëlluar nga grabitësit ndërsa policët privatë nuk i kanë përdorur armët, ndonëse kishin 3 të tilla me vete.

“Kur pamë që grabitësit që po qëllonin drejt ne i hodhëm armët tek këmbët”,- mësohet të kenë deklaruar në polici pesë policët privatë që shoqëronin 2 blindat me para.

Sakaq, mësohet se Endrit Daci, shoferi i njërit prej blindave që u arrestua dje mësohet se ka 2 gërvishtje xhami në dorë dhe në parakrah.

Kjo është grabitja e tretë që ndodh në harkun kohor të më shumë se një viti në afërsi të Rinasit, ndërsa ka të dyshime të shumta që mund të ketë qenë e njëjta “dorë” grabitësish, duke u nisur edhe nga skema e përdorur. Grabitja e tretë ndodhi dje në orën 11:30, në Qafë-Kashar, pranë rrugës për në Rinas, ku pesë persona të armatosur dhe të veshur me kamuflazh të zi arritën të merrnin nën kërcënimin e armëve një shumë nga 100 mijë euro deri në 2 milionë euro, por asgjë e konfirmuar zyrtarisht.

Pesë autorët pasi goditën një prej blindave, thyen me mjete të forta një prej xhamave të makinës dhe nën kërcënimin e armëve kanë marrë thasët me para. Më pas ata kanë djegur makinat e tyre pranë urës së Limuthit, afër Qafë-Kasharit.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb