TIRANE – Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, zhvilloi sot një takim kokë më kokë me kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në selinë e PD.

Në takimin që nisi në orën 19:00, e shoqëruar nga kreu i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili, Kryemadhi diskutoi me Bashën për protestën e paralajmëruar të janarit.

Gazetarja Elda Menga dha për BalkanWeb detaje nga ky takim 90-minutësh për protestën, e cila besohet të zhvillohet më 15 janar, me rastin e nisjes të seancës së parë parlamentare për vitin 2018.

Protesta mund të zhvillohet përpara kryeministrisë dhe pritet të jetë edhe më masive se ajo e 18 dhjetorit, që u bë për zgjedhjen e kryeprokurores së përkohshme të përgjithshme.

Pas takimit me Kryemadhin e Vasilin, Basha priti në zyrë dy nënkryetarët Edi Paloka e Edmond Spaho, sekretarin e përgjithshëm Arben Ristani si dhe sekretarin organizativ Eno Bozdo, ku diskutoi për detaje të tjera në lidhje me protestën.

Në një njoftim të mëvoshëm, BalkanWeb mësoi se në këtë bisedim të fundit të Bashës me të besuarit e tij, kryedemokrati caktoi një takim me aleatët parlamentarë ditën e nesërme në orën 10:00 për të përcaktuar datën e protestës së opozitës.

Gazetarja Elda Menga duke iu referuar burimeve nga PD bën me dije se në takimin që do të zhvillohet nesër, Basha ka thirrur edhe kreun e PAA, Agron Duka.

 (e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb