BERAT– Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, i është bashkuar ditës kombëtare të pemëve, duke mbjellë së bashku me nxënësit e disa shkollave në qarkun e Beratit dhjetëra fidanë të rinj.

Ministria e Arsimit pak kohë më parë ka lancuar projektin e saj, kurorat e gjelbra të shkollave, ku çdo shkollë apo institucion arsimor në mënyrë vullnetare, të kontribuojë për të gjelbëruar oborret dhe për të kultivuar tek të rinjtë shqiptarë dashurinë për natyrën dhe kujdesin e shtuar për mjedisin që i rrethon.

Nikolla e ka nisur ditën herët me mbjelljen e mbi 20 pemëve në shkollën 9-vjecare “Zoi Vangjeli” në Velabisht, ku së bashku me nxënësit e kësaj shkolle dhe mësuesit, edhe pse ditë pushimi, iu bashkuan këtij aksioni kombëtar.

Më pas me mësuesit e shkollës 9-vjecare të Poshnjës, ministrja Nikolla dha kontributin e saj për kurorën e gjelbër edhe të kësaj shkolle, e cila mbjelljen e pemëve e ka kthyer në një traditë të përvitshme.

Nikolla vizitoi edhe disa shkolla të tjera të këtij qarku, ku u njoh me ecurinë e nismave të Ministrisë së Arsimit,siç janë “3 lëndë në 6 orë” apo “shkollat qendra komunitare”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb