TIRANE- Çdo tatimpagues në përfundim të orarit të punës, pasi të ketë mbyllur shitjet ditore, duhet t’i raportojë ato on-line në serverin e DPT-së. Nëpërmjet një kërkese drejtuar bizneseve, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve thekson se për çdo shitje me pajisje fiskale, duket të bëhet raportimi ditor.

Sipas DPT-së, raportimi nuk duhet të kalojë orarin më të fundit të pranueshëm, ora 24.00, pas të cilit fillon një datë e re.

Administrata Tatimore ju bën thirrje edhe tatimpaguesve, të cilët prej kohësh nuk kanë bërë transmetimet ditore që të fillojnë t’i realizojnë ato.

“Ky është një detyrim ligjor, i cili në rast moszbatimi ju penalizon me gjoba nga 10 000 – 50 000 lekë.
Administrata Tatimore po monitoron prej kohësh këtë detyrim të tatimpaguesve.

Për të gjithë shkelësit që nuk e zbatojnë detyrimin e mësipërm, Administrata Tatimore do t’i kalojë për veprime të mëtejshme strukturave të saj të Hetimit Tatimor dhe atyre të Krimit Ekonomik dhe Financiar në Policinë e Shtetit për veprën penale të fshehjes të të ardhurave dhe evazionit fiskal”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb