TIRANE –Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar kamerat e jashtme të Bashkisë, në kuadër të hetimeve për pajisjen e “IMSI Catcher”, e cila dyshohet se është administruar në kundërshtim me ligjin nga ana e Policisë së Shtetit.

Mësohet se prokuroria do të analizojë pamjet e fiksuara nga kamerat e jashtme të Bashkisë së Tiranës në datën 13.05.2016, kur dyshohet se është lëvizur pajisja e përgjimit.

Prokuroria ka sekuestruar gjithashtu serverin qendror të kamerave të sigurisë në ambientet e Forcave të Posaçme Operacionale të Policisë së Shtetit. Burime nga prokuroria thonë së janë pyetur drejtuesit e këtij reparti, të cilët kanë pohuar se kamerat nuk punojnë, por organi i akuzës ka dyshime se është ndërhyrë për fshirjen e tyre.

Sipas prokurorisë, edhe nëse ka ndërhyrje, do të jenë librat e regjistrit të hyrje-daljeve në repart, që do të provojë se brenda këtij institucioni makina ku ndodhet e instaluar pajisja e përgjimit “IMSI Catcher” ka hyrë në të paktën dy raste.

Prokuroria nga ana e saj ka dyshime edhe për anëtarët e Policisë së Shtetit dhe pjesëtarët e grupit trajnues, pasi pas urdhrit për sekuestrimin e pajisjes, e cila dyshohej se ishte në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, automjeti me pajisjen më datë 13.05.2016 është larguar nga ky ambient rreth orës 12:00.

Sipas prokurorisë, fakti që mjeti së bashku me pajisjen ka lëvizur në të paktën dy herë një specialist shqiptar, është një prej arsyeve që e ngarkon me përgjegjësi dhe titullarin e Forcës

Me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, gjykata ka vendosur masën ndaluese “pezullim nga detyra” për Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Haki Çako, për konsumimin e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”. Gjykata vendosi masën e sigurimit “arrest në shtëpi” me mbikëqyrje elektronike për shtetasit Artion Duka, me funksion Drejtor i Forcave Operacionale (F.O) dhe Entiol Xhelilaj, specialist pranë F.O, të dy të dyshuar për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Veprimeve që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.

Sipas prokurorisë, Artion Duka, në cilësinë e Drejtorit të Forcave Operacionale, nuk ka marrë masa për administrimin e pajisjes, si edhe për të siguruar që ajo nuk do të përdorej për qëllime të tjera, përveçse trajnimit. Ndërsa Ention Xhelilajn me funksion Specialist pranë Forcës Operacionale, se ka kryer veprime të paautorizuara, siç është përdorimi i mjetit me pajisjen “IMSI Catcher” pa asnjë urdhër me shkrim.

Ndërkohë, 3 zyrtarët e lartë të policisë i janë drejtuar Gjykatës së Apelit duke kundërshtuar masat e  sigurisë, ndërsa Prokuroria e Tiranës i ka dërguar letërporosi Ministrisë italiane të Drejtësisë me kërkesën për t’u informuar mbi pajisjen përgjuese “IMSI Catcher”.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: