TIRANË- Ish-efektivi të policisë rrugore, Ajet Zeqaj është ekzekutuar me armë zjarri mbrëmjen e së mërkurës në rrugën “Nikolla Tupe”, në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Burime zyrtare pranë uniformave sqaruan se viktima kishte vetëm 20 ditë që ishte kthyer në Shqipëri nga Franca. Mësohet se në momentin që Zeqaj u qëllua për vdekje, ndodhej me një mikun e tij. Të dy këta persona, sapo kishin dalë nga bilardoja e një lottosport-i, u ishte zënë pritë nga një person i veshur me të zeza dhe me një kapuç të zi në kokë. Autori, i paidentifikuar ende nga policia, ka qëlluar në drejtim të 30-vjeçarit me një armë me silenciator rreth 5 metra pasi ky i fundit kishte dalë prej andej. Burime pranë grupit hetimor bënë me dije se kanë qenë dy plumba pas koke që i morën atij jetën.

POLICIA RINDERTON SKENEN E VRASJES

Policia ka rindërtuar skenën e vrasjes nga ku mësohet se viktima fillimisht ka qenë te shtëpia e së motrës. Pastaj me mikun e tij kanë shkuar në një bilardo loto sport. Ai është qëlluar sapo ka dalë nga bilardo.

Policia ka marrë në pyetje dëshmitarë që ndodheshin në lokal, të cilët kanë pohuar se kanë parë edhe një automjet në vendngjarje me të cilën dyshohet se është larguar autori. Nga këqyrja e trupit të viktimës mësohet se ai është qëlluar me dy plumba, një pas koke.

Ndërkohë, në vendin e ngjarjes grupi hetimor gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale armën e krimit, të cilën autori e ka lënë disa metra larg trupit të viktimës, si dhe kapuçin që ai ka përdorur për t’u “maskuar”, raporton GSH. Gjithashtu, policia ka sekuestruar edhe disa kamera sigurie të cilat ndodhen në afërsi të vendit ku ndodhi ekzekutimi i të riut nga Tepelena, për të parë nëse ndonjëra prej tyre ka kapur ndonjë lëvizje të autorit.

Ekzekutimi u shënua në afërsi të disa pallateve, rruga e të cilave është e pandriçuar, çka e bën edhe më të vështirë identifikimin dhe vënien në pranga të autorit të vrasjes.

Ndërkaq, personi i parë që u shoqërua në ambientet e Drejtorisë së Policisë Tiranë për t’u marrë në pyetje si i vetmi person okular, ishte miku me të cilin ndodhej Zeqaj. Burime pranë specialistëve të kriminalistikës, pohuan se nga dëshmitë e para që ai ka dhënë në polici, ka treguar se kishte rreth dy orë që ishte takuar me Ajetin dhe ishin ulur në një loto sporti për të parë një ndeshje futbolli. Ai ka sqaruar më tej, se i pari që kishte dalë nga ky ambient kishte qenë 30-vjeçari, i cili do të shkonte në banesën e motrës së tij që banonte aty pranë. Ndërsa, për sa i përket autorit të vrasjes, miku i viktimës ka pohuar se nuk ka mundur ta shohë atë për shkak të errësirës.

Gjithashtu, policia ka shoqëruar edhe disa persona të tjerë të cilët kishin qenë të ulur në lokal. Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen plotë të rrethanave të vrasjes.

SHKAK, DYSHOHEN BORXHET DHE PAZARET E DROGËS

Sipas gazetës “Panorama”, hetimet janë përqëndruar në borxhet e mëdha që kishte viktima ndaj disa personave të tjerë. Por hetuesit nuk përjashtojnë edhe përfshirjen e mundshme të Zeqajt në trafikun e drogës në Francë.  Policia e Shtetit po komunikon me autoritetet franceze për më shumë të dhëna në lidhje me këtë pistë.

KUSH ËSHTË VIKTIMA?
Personi i ekzekutuar sot në Tiranë është identifikuar si Ajet Zeqaj nga fshati Qesarat i Tepelenës, rreth 35 vjeç, ish-efektiv policie. Zeqaj kishte 20 ditë që ishte kthyer nga Franca, konkretisht në 2 shkurt, ndërsa në vitin 2010 rezulton i skeduar për dhunë ndaj bashkëshortes.
(m.k/er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: