Ndërsa Ukraina shënoi Pashkët e saj të tretë në luftë, Rusia sulmoi vendin të dielën me një breshëri dronësh të përqendruar në lindje të Ukrainës. Si rezultat më shumë se 12 persona u plagosën. Forcat ajrore të Ukrainës thanë se Rusia sulmoi me 24 dronë Shahed, nga të cilët 23 ishin rrëzuar.

Gjashtë persona, mes tyre një fëmijë, u plagosën nga sulmi me dronë në rajonin lindor të Kharkivit, tha guvernatori rajonal Oleh Syniehubov. Dhjetë të tjerë u plagosën në një sulm ajror të dielën pasdite në kryeqytetin rajonal Kharkiv, tha zoti Syniehubov, duke shtuar se qyteti ishte sulmuar nga ajri.

Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi të dielën se trupat e saj kishin marrë kontrollin e fshatit Ocheretyne. Zyrtarët në Kiev u kërkuan banorëve t’i ndjekin shërbesat me rastin e Pashkëve Ortodokse në internet për shkak të shqetësimeve mbi sigurinë.

Në fjalimin e tij, Presidenti Volodymyr Zelenskyy u bëri thirrje ukrainasve që të “luten së bashku” në këtë ditë të shenjtë. Shumica e ukrainasve identifikohen si të krishterë ortodoksë, megjithëse kisha është e ndarë. Shumë prej tyre i përkasin Kishës së pavarur Ortodokse të Ukrainës. Kisha rivale ortodokse ukrainase është besnike e kishës së Moskës dhe shihet me dyshim nga shumë ukrainas.

Në Moskë, të shtunën në mbrëmje besimtarët mes tyre presidenti Vladimir Putin, mbushën Katedralen historike të qytetit, për një shërbesë me rastin e Pashkëve, të udhëhequr nga Patriarku Kirill, kreu i Kishës Ortodokse Ruse dhe një mbështetës i hapur i Kremlinit.

Të krishterët ortodoksë lindorë zakonisht e festojnë Pashkën më vonë sesa kishat katolike dhe protestante, pasi ata përdorin një metodë të ndryshme për të llogaritur datën për ditën e shenjtë që shënon ringjalljen e Krishtit./Voa/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: