Nga Elda Menga

TIRANË- Aleatët e  Partisë Demokratike  kanë identifikuar  sistemin zgjedhor që duan .

“S’jam i bindur se  kush do na përfaqësojë  më mirë. Puna është të përfaqësojë gjithë shqiptarët. Jo për të mbrojtur partitë e vogla. Nëse duhet  që partitë e vogla të ikin, le të ikin. Ne duam një sistem që ti japë drejtim shqiptarëve të votojnë edhe parti alternative. Unë do isha për një sistem të kombinuar mazhoritar plus proporcional. Por,  është ende herët për të folur për sistemin”, shprehet Dashamir Shehi.

“Sipas gjykimit që ka PDK-ja mund të ishte një sistem proporcional kombëtar preferencial. Do ishte zgjidhja më e mirë në këto kushte. Për faktin se PD dh PS asnjëherë nuk kanë miratuar një reformë  për të vendosur standarde për të respektuar frymën e Kushtetutës  dhe votën se qytetarëve,  por janë përpjekur përmes mekanizmave të kodit zgjedhor të përjashtojnë partitë e tjera  politike nga përfaqësimi”, shprehet Nard Ndoka.

Edhe pse ndahen në qëndrime sa i takon sistemit  zgjedhor, Dashamir Shehi dhe Nard Ndoka bashkohen për listat e hapura.

“Jam pro listave të hapura, sepse lista e hapur vendos për meritokracinë”, thekson Shehi .

‘Mbështesim  idenë  e listave te hapura, padyshim që po. Është kërkesë normale nëse flasim për demokraci , që të ulim rolin e krerëve të partive. Kjo do të jetë  një mënyrë që qytetarët të kenë mundësi që brenda listave të partive politike të zgjedhin atë kandidat që preferojnë”, propozon Ndoka.

Kreu i demokristianëve dhe ai i lëvizjes për zhvillim kombëtar  janë  pro përdorimit të elektronikës  megjithëse nuk e fshehin skepticizmin se teknologjia  nuk e shmang plotësisht vjedhjen e votave.

“Shitblerja e votës nuk shmanget vetëm me votimin  dhe numërimin elektronik. Qytetari që ka vendosur të shitet e shet si pa letër e dhe me letër. Por, elektronika   shmang shitjen në tavolinë, kur s’ke karte, shmang abuzimin e komisionerëve. Ne duhet të largojmë sa më shumë  zullumin”, tha Shehi.

“Votimi dhe numërimi elektronik është kërkesë e jona e hershme dhe do jetë një hap i rëndësishëm, por nuk është vetëm kjo sepse taktikat elektorale që përdori PS dihen, ishte blerja dhe tjetërsimi i votës, presioni mbi administratën publike, kërkohen një sërë hapash, ne duhet të shohim një sistem që të eliminojë këto”, thekson Ndoka.

As debati mbi votimin  e emigranteve nuk  lë indiferent  aleatet e partisë më të  madhe në opozitë.

“Pro në parim për votën e  emigrantëve, por  duhet marrë shkallë-shkallë, t’i shohim ku janë, t’i regjistrojmë ku mund të votojnë, sesi do i ndajmë, që të shmanget  manipulimi”, thotë Shehi.

“Ne jemi pro parimisht votimit të emigrantëve. Por si duket ka një strategji  të Partisë Socialiste  për të bërë të mundur manipulimine zgjedhjeve përmes emigrantëve. Kur një force politike ka tendencë për te gjetur shtigje dhe mënyra të reja për të  abuzuar propozimi i saj duhet te shihet me rezerva”, thekson Ndoka.

Lulzim Basha thirri një ditë më parë  tryezën e aleatëve për reformimin e sistemit zgjedhor. Kreu i demokratëve ka lajmëruar se diskutimet do të përfshijnë edhe parti të tjera opozitare duke lënë të kuptohet se po shihet mundësia e bashkimit të  qëndrimeve edhe me Lëvizjen Socialiste për Integrim.

(m.k/BalkanWeb)

Etiketa: