SHKODËR- News24 ka qenë në banesën ku dhe u dorëzua autori i vrasjes së turistëve çek, Sokol Mjacaj. Age Koçeku, gruaja që i parapriu dorëzimit të tij rrëfen se i riu erdhi në banesë dhe i kërkoi telefonin që të fliste më policinë. Ajo thotë se ishte shumë i qetë dhe nuk kishte armë me vete, ndërsa nuk i ka rrëfyer asgjë rreth ngjarjes së rëndë.

“Ka ardhur ka folur me nënën time. E shikova. Kur doli atje në rrugë krejt, i them unë ça deshe ti djalë. “Jo, asgjë”, tha edhe iku për tek apartamenti që është përballë. Hyri atje brenda, hoqi çorape, mori një palë pantofla. Edhe unë hyra brenda, veç kur fap erdhi. “Unë dua ujë”, tha. Po mo sa të duash ujë. I thashë mos je ai djali që janë duke e kërkuar? “Po- tha- unë jam ai djali”. Duke ndenjur i thashë Pashë Zotin dorëzohu, se i mbante duart në xhepa. Unë kisha frikën time. Më shumë frikë kisha unë, ai nuk shqetësohej hiç.

Edhe i them Pashë Zotin dorëzohu se po më bën sherr mua dhe vetes. “Jo- tha – s’kam kurrgjë”. Se kisha frikë mos kishte ndonjë armë, që i mbante duart në xhepa dhe po më vriste. Nxori një brisk nga xhepi dhe e futi prapë. Më tha “a ke telefon”. Po i thashë kam. Mori policinë. Foli veças, i fola dhe unë dhe erdhi fill policia. S’ka vonu as 2-3 minuta se ishin të gjithë këtu. Më tha “A ka mundësi të dalim të dy bashkë”, ky djali se më duket kishte frikë. Po mor i them edhe dolëm të dy bashkë. Unë përpara, ai mbrapa. Kur kam dalë jashtë u kam thënë Pashë Zotin mos e përkitni se më vinte gjynah. Thosha po e kapin, Zoti e di ça po i bëjnë. Jo, jo thanë mos ke merak. E morën edhe ikën, kaq ishte.

As biseduam gjë, as në lidhje me vrasjen, se unë isha tu maru për vete. Më e shqetësuar isha unë, se ai. Ai ishte krejt normal, thua se s;ka ndodhur asgjë. Bile po shikonte televizor, duke parë veten, duke dëgjuar lajmet. E dëgjonte edhe policinë që i bënte thirrje”, ka rrëfyer gjithë ngjarjen për News24, Age Koçeku.

20-vjeçari Sokol Mjacaj, autori i vrasjes së dyfishtë të turistëve çekë, u arrestua pasditen e së dielës në një banesë dy katëshe të braktisur në fshatin Grudë e Re të Malësisë së Madhe. Ai ka pranuar autorësinë e vrasjes dhe ka deklaruar se ka dashur ti grabisë, por pasi 27-vjeçari çek ka tentuar ti marrë armën, i ka qëlluar të dy nga pas.

(m.k/BalkanWeb)

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: