Gazetari Blendi Fevziu u përplas me kreun e PD Lulzim Basha, pasi ky i fundit ftoi të flasë live, një qytetar gjatë emisionit “Opinion” të së enjtes, që u zhvillua në çadrat e protestës së opozitës.

Personi që thirri Basha është identifikuar si Leonardo Nika, një socialist i zhgënjyer nga Rilindja. Ai tregon për dritare.net se ka votuar në zgjedhjet e 2013 për Edi Ramën.

“Unë kam ardhur në Tiranë 26 vite më parë kur isha 12 vjeç. Erdha nga Burreli. Këtu kam mbaruar arsimin e mesëm. Kam marrë pjesë e “Kutia e Fundit” në tv Klan, vite më parë ku publikoja poezi të miat. Isha personazh televiziv”.

Leonardo sqaroi ndër të tjera se për 17 vjet ka mbështetur të majtën, por tani është zhgënjyer. Ai trgoi edhe një episod, para dy vitesh kur ka qenë i shtruar në spital.

Aty nuk ka marrë shërbimin e duhur dhe ka dashur të kontaktojë Saimir Tahirin, deputet i Kombinatit në atë vit, me të cilin kishte kontakte më të hershme, nga angazhimi në Partinë Socialiste.

Por Tahiri nuk i është përgjigjur kurrë, edhe pse ai e mori per një muaj të terë, në telefon.

“Kjo më mërziti, më zhgënjeu”, pohon Leonardo.

Ai tregon se ka marrë pjesë në protestën e 8 dhjetorit të 2015, dhe që atëherë është bërë pjesë e PD.

“Më pëlqen më tepër Basha, sepse ka një komunikim të ngrohtë me njerëzit, ndërsa Rama është ironik edhe aty ku nuk ka vend për ironi, me popullin e thjeshtë”.

“Këtë doja të thosha edhe në emisionin e Fevziut, mbrëmjen e së enjtes dhe isha unë që e luta Bashën ta shprehja publikisht zhgënjimin tim, por nuk më lanë.”

“Fevziu bëri gjithë atë rrëmujë, sikur unë isha kamikaz. Unë jam vetëm një shqiptar i zhgënjyer dhe kaq”- e mbyll Leonardo, rrëfimin.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: