NGA BRIKENA METAJ
Pjesa më e madhe e qeverisë është shpërngulur prej disa ditësh në kryeqendrën e rajonit jugor, Gjirokastër. Ndërsa një natë më parë kryeministri Rama zhvilloi një mbledhje informale me ministra të PS-së ku nuk munguan dhe deputetë të kësaj partie, mëngjesi i së dielës nisi me një vizitë të tyre në zonën muzeale.

Ata kanë përshkuar më këmbë rrugën nga “Sheshi i Çerçizit” te shtëpia e shkrimtarit Ismail Kadare. Rama e ka cilësuar Gjirokastrën një qytet prioritar, ku projekti i rilindjes urbane e ka kthyer këtë qytet të rëndësishëm në kantier ndërtimi.

I pyetur nga News24 nëse qëllimi i këtij qëndrimi dhe takimeve në Gjirokastër është në kuadër të ristrukturimit të PS ndërkohë që së fundmi LSI ka fituar gjithnjë e më shumë terren në qytetin e gurtë, Rama u përgjigj se terreni është i gjerë dhe se LSI vazhdon të mbetet bashkëpunëtorja kryesore e PS duke hedhur poshtë zërat për prishje të koalicionit.

Por ajo që u vu re gjatë shëtitje-inspektimit të kryeministrit ishte mungesa e kryebashkiakes së Gjirokastrës Zamira Rami. As administrata bashkiake, nuk është parë në shëtitjet me këmbë që Rama, ka realizuar mëngjesin e sotëm në zonën muzeale të qytetit. Po kështu mungonte edhe deputeti i LSI-së Vangjel Tavo.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: