PALERMO- Një aksident automobilistik “zinxhir” ka ndodhur pasditen e sotme në Palermo. Mediat italiane raportojnë se ngjarja ka ndodhur në rrugën “Santissima Mediatrice”. Po ashtu thuhet se nga përplasja janë dëmtuar 8 automjete, në të cilat udhëtonin 30 tifozë shqiptarë drejt stadiumit “Renzo Barbera” pak para ndeshjes mbrëmjen e sotme mes Italisë dhe Shqipërisë.

Sakaq, ‘Blogsicilia’ shkruan se nga 8 makina, 3 prej tyre janë dëmtuar rëndë, ndërsa si pasojë e aksidentit për disa minuta është bllokuar trafiku.

Policia, me anë të një autobusi transportoi në stadium tifozët shqiptarë, makinat e të cilëve ishin dëmtuar. Pavarësisht kësaj ngjarje, nuk ka munguar dhe ironia nga ana e një tifozi shqiptar, i cili shtoi se: “Dikur erdhëm me një gomone dhe tani me një skuadër të madhe”. Palermo është populluar ditën e sotme nga shumë tifozë shqiptarë. ‘BalkanWeb’ publikon disa foto nga aksidenti ‘zinxhir’.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: