PRRENJAS – Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ishte i pranishëm sot në inaugurimin e çerdhes së vetme në Peqin.

Kjo çerdhe ishte një investim i bërë nga qeveria turke, e si rrjedhojë mori pjesë edhe ambasadori turk.

Kreu i Shtetit, u pyet nga gazetarët edhe në lidhje me me negociatat me BE, gjë që shihet me skepticizëm nga Franca e Gjermania.

Meta tha se momentalisht duhet t’i gëzohemi rekomandimit pozitiv, si dhe të punohet akoma më shumë që Këshilli të mbështesë rekomandimin për çeljen e negociatave.

“Duhet t’i gëzohemi rekomandimit pozitiv fillimisht se ky është një hap shumë i rëndësishëm dhe së dyti duhet të përqëndrohemi në thellimin e reformave për 5 prioritetet kyçe për të treguar edhe më shumë vullnet e rezultate për sa i përket sundimit të ligjit. Jam i bindur që i kemi të gjitha mundësitë që Këshilli të mbështesë plotësisht rekomandimin për çeljen e negociatave.

Mendoj se në këtë moment duhet të evitojmë çdo lloj polemike dhe të përqëndrohemi që ky rekomandim të kthehet në një vendim pozitiv edhe të Këshillit të vendeve anëtare,” tha Meta.

Presidenti i vendit falënderoi qeverinë turke për çerdhen në Prrenjas, raporton gazetari Fatmir Popja për BalkanWeb

“Dua të shpreh mirënjohjen për këtë angazhim. Duhet të falenderojmë qeverinë turke për këtë mbështetje. Falenderoj dhe ambasadorin, që më dhanë mundësinë të shijoja këtë ditë të bukur sot me këta fëmijë në këtë ambient të ri tërësisht të transformuar,” tha Meta.

Pyetje: Zoti Meta jemi në prag të negociatave të Bashkimit Evropian, dhe shohim një skepticizëm të vendeve të rëndësishme si Franca dhe Gjermania. Cili është komenti juaj për këtë: sa shanse ka Shqipëria?

Presidenti Meta: Së pari duhet t’i gëzohemi rekomandimit pozitiv të Komisionit Evropian, sepse ky është një hap mjaft i rëndësishëm. Dhe së dyti duhet të përqendrohemi në thellimin e reformave të 5 prioriteteve kyçe, sidomos për të treguar më shumë vullnet dhe rezultate përsa i takon sundimit të ligjit. Jam i bindur se i kemi të gjitha mundësitë që Këshilli të mbështesë plotësisht këtë rekomandim pozitiv për çeljen e negociatave për Shqipërinë.

Pyetje: Duket se ka një konflikt mes Bashës, Ramës dhe përfaqësuesit të Gjermanisë në lidhje me këtë çështje? Presidenti Meta: Mendoj se në këto momente është shumë e rëndësishme që të evitojmë çdo lloj polemike dhe të përqendrohemi te demonstrimi i rezultateve në ditët, në javët që vijnë, sepse besoj se kjo do të ishte rruga më e mirë që ky rekomandim i Komisionit të kthehet në mënyrë të sigurt në një vendim pozitiv të vendeve anëtare.

Pyetje: Zoti President, si e vlerësoni ju këtë investim nga qeveria turke për institucionet arsimore, por edhe bashkëpunimin midis dy vendeve?

Presidenti Meta: Si President dua të shpreh mirënjohjen ndaj gjithë këtij angazhimi të jashtëzakonshëm të “TIKA-s” në të gjithë vendin dhe të falenderojmë qeverinë e Turqisë për këtë mbështetje. Dhe së dyti, dua të falënderoj Kryetaren e Bashkisë dhe Ambasadorin turk që pata fatin ta nis ditën kaq bukur sot me këta fëmijë këtu në Bashkinë e Prrenjasit, të cilët janë kaq të lumtur në këtë mjedis të ri tërësisht të transformuar, që u jep krahë ëndrrave të tyre, dhe që njëkohësisht ka krijuar mundësi të reja jo vetëm për fëmijët, por ajo që është shumë e rëndësishme, edhe për nënat e tyre, që edhe ato të jenë më të qeta e më të sigurta. Kështu që edhe njëherë do të falënderoja Ambasadorin dhe “TIKA-n” për çdo punë të shkëlqyer që kanë bërë!

(e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: