E përditshmja gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” i ka kushtuar një reportazh Shqipërisë të titulluar “vendi pa të ardhme” tek i cili ngre pyetjen “pse ikin shqiptarët”.

“Një vend pa një të ardhme’. Në Shqipëri nuk ka luftë, nuk ka uri. Njerëzit me makina Mercedes ngasin nëpër rrugët e qyteteve të mëdha dhe Jugu ngjan si Côte d’Azur. Por përse shqiptarët ikin në fakt?

Kjo është pyetja që ngre gazeta gjermane FAZ, në artikullin të publikuar sot, ku citon disa shqiptarë të cilët kanë provuar të ikin nga vendi drejt Gjermanisë.

“Unë mendova se do të shkoj përgjithmonë”, thotë Danieli, i cili për pesë ditë është kthyer në shtëpi.
Daniel është një “refugjat ekonomik”, të paktën kështu quhen njerëzit ai në Gjermani.

Pse ka kaq shumë njerëz që kanë ikur nga Ballkani perëndimor kohët e fundit drejt Gjermanisë?

Personi tjetër është Lidia, një grua 30-vjeçare, e cila jeton në periferi të Tiranës. Në Shkozë, aty ku nuk ka ujë, nuk ka energji elektrike dhe ka shumë uri. Nëntë muaj më parë ajo shkoi për në Gjermani, pasi djali i saj i madh kishte probleme në Tiranë. Lidia është kthyer në muajin qershor, por ka si qëllim të niset përsëri drejt Gjermanisë.

Sipas këtij reportazhi arsyet ekonomike janë ato që i bëjnë shqiptarët të largohen, ndaj gazetarja i quan shqiptarët që kërkojnë azil në Gjermani, emigrantë ekonomikë dhe jo azilantë politikë, duke theksuar faktin se vetëm këtë vit kanë aplikuar mbi 20 mijë persona nga Shqipëria.

“Në Shkozë është një dëshmitar i mbijetesës që na ndjek kudo, është i padukshëm dhe kudo. Ky dëshmitar është era që provon gjithçka dhe shpjegon gjithçka. Në Shkozë nuk ka ujë , nuk ka kanalizime dhe nuk ka energji elektrike ”, thuhet në artikullin e gazetës gjermane.

Personazhi tjetër është 22-vjeçarja Ina, e cila ka studiuar dhe tani ndihmon fëmijët e rrugës. “Është një rreth vicioz. Prindërit nuk kanë asnjë punë, nuk kanë lekë as për të ndërtuar një shtëpi. Dhe pa një shtëpi, nuk iu ngelet tjetër veçse të jetojnë bashkë me mbeturinat”, shprehet Ina.

Ajo shton: “Nëse prindërit duan që të shkollojnë fëmijët e tyre, këta të fundit nuk pranojnë, pasi as për t’u larë nuk kanë me çfarë”.

Kështu, edhe pse të gjithë e dinë se shumica e njerëzve nuk janë të lejuar të qëndrojnë në Gjermani, ata përsëri nisën për të provuar fatin, për të jetuar më mirë. Gjatë takimit që gazetarja Anna Prizkau pati me disa qytetarë shqiptarë mësoi se shkaqet që kanë çuar në largimin e mijërave shqiptarëve muajt e fundit janë papunësia dhe zemërimi me politikanët.

(m.k/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb