NGA: ARMIR MEHAJ* FUSHE ARREZ – Nëse dikush nga pushtetarët kërkon të shikoj varfërinë e vërtetë të veriut të vendit, mjafton që të vizitoj një ditë misionin “Shën Jozefi” pranë Kishës Katolike me të njëjtin emër në Fushë Arrëz. Aty kupton qartazi gjendjen me të cilën bashkëjetojnë çdo ditë banorët e kësaj zone. Janë me qindra familje, të cilat tërheqin pranë këtij misioni paketën e përmuajshme ushqimore me të cilin dhe jetojnë.

Motrat misionare Gracia Ruff dhe Bernadet Erbenhov të cilët prej 20 vitesh ofrojnë ndihmën e tyre në fshatrat e veriut të vendit ushqejnë me bukë shumë familje të varfra, pasi ata ndihen me gjendjen e tyre duke i vizituar sëpari strehëzat në të cilat jetojnë këta fatkeq. Vetë banorët përfitues nga ndihma e dy murgeshave gjermane tregojnë se si shpresa u ringjall falë këtyre dy motrave që po mbajnë shumë familje me bukë, kanë ndërtuar qindra shtëpi banimi për këto shtresa e kanë riparuar qindra e qindra të tjera. Liza Jaku është mbi 70 vjeç, ajo pret të marr ushqimet e përmuajshme pranë misionit, teksa tregon se po mos të ishin motër Gracia dhe Bernadet familja e saj nuk dihej se si do të përfundonte pasi jetojnë vetëm me 4000 lekë ndihmë ekonomike.

Smail Brahimi është një tjetër përfitues të cilit motrat i ndërtuan shtëpinë duke e nxjerr nga baraka ku jetonte. Pas shumë fatkeqësive edhe Liza Marku sot i gëzohet ndihmës së murgeshave Gjermane të cilët edhe pse shumë larg, në fshatin Buxhon i ndërtuan shtëpinë e re, duke e larguar nga kasollja ku jetonte së bashku me bagëtitë. Si këto familje janë edhe 300 të tjerë që u janë ndërtuar shtëpitë e reja ndërsa me qindra të tjerve u janë riparuar banesat duke ndryshuar kështu kursin e jetës.

Prej 20 vjetësh, motër Gracia dhe Bernadet që kur kanë mbërritur në qytetin e Fushë Arrëzit, asokohe i frikshëm për vet ngjarjet e ndodhura, japin një kontribut të jashtëzakonshëm, duke ndihmuar familjet në nevojë, por gjithnjë shprehen të çuditura se si asnjëherë zonat malore të Shqipërisë nuk morën vëmendjen e shtetit dhe politikës, përfaqësuesit e të cilës asnjëherë nuk njohën nga afër gjendjen me të cilën jetojnë banorët e fshatrave të Pukës. Motër Graciatregon tregon se vetëm për transportin e ndihmave nga Austria dhe Gjermania misioni ka shpenzuar më shumë se një milion euro. Ndërkohë, Motër Bernadet Erbenhov tregon se si prej 20 vitesh ata orvaten duke luftuar varfërinë.

“Kemi ndërtuar qindra banesa, studentëve nga familjeve të varfra i mundësojmë bursat e studimit, trajtojmë të sëmurët me medikamente sipas recetave të mjekeve, u gjendemi pranë të varfërve, pasi e dimë se nuk mund ti bëjnë ballë jetës”, -tregon motër Bernadet, e cila shton se askush nuk mund të jetoj me një ndihmë ekonomike prej 3000-4000 mije lekësh.

“Ne shpesh çuditemi se si shteti dhe politika nuk ndihmon për asgjë këta familje, madje askush nuk shkon ti shikoj se si jetojnë. Këtu lart politikanët ngjiten vetëm për fushata dhe asgjë më shumë” shprehet e irrituar murgesha. Banorët e Fushë Arrëzit bëjnë të ditur se Motër Gracia dhe Bernadete ofrojnë shërbime për gratë shtatzëna, duke u siguruar atyre të gjitha gjërat e nevojshme pas lindjes. Gjithashtu, dy misionaret katolike nga Gjermania kanë trajtuar shumë vajza të trafikuara, të cilat prindërit i kanë hedhur në rrugë për shkak të opinionit meskin që mbizotëron në këtë zonë të prapambetur. Ato vazhdojnë të kërkojnë ndihma nga kishat në Gjermani, për të zbutur varfërinë me të cilën përballen çdo ditë në zonën ku jetojnë prej 20 vitesh. Aktualisht, pranë misionit “Shën Jozefi” vazhdon të jetë i hapur kopshti ditor me rreth 100 fëmijë.

Ndërsa kursi i rrobaqepësisë, i gjuhëve të huaja si dhe reparti i përpunimit të veshjeve tradicionale të zonës ku janë të punësuara shumë gra, vazhdojnë të funksionojnë prej shumë vitesh. Duke parë mundësitë e pakta të banorëve të zonës për të blerë medikamente mjekësore, Motër Bernadet ka hapur dhe një farmaci pranë misionit, ku iu shërbehet të gjithë hallexhinjve. Motër Gracia e Bernadet, të cilat sot mbushin plot 20 vite në qytetin e Fushë Arrëzit ndonëse jo rrallë janë përballur me vështirësi nga më të ndryshmet, asnjëherë nuk dëgjohet të shprehen se janë mërzitur me Fushë Arrëzin, me hallet qe ata dëgjojnë çdo ditë apo me njerëzit që jo rrallë kërkojnë më shumë nga çfarë u takon. Sot ata janë më të lumtura se kurrë pasi misionit të tyre ju bashkua dhe një murgeshë tjetër, motër martina, e cila do u lehtësoj edhe më shumë punët në aktivitetin e tyre human.

Gjithnjë tek këta misionaret tregohet dhe shfaqet përkujdesja hyjnore, përkujdesje fal të cilës sot shumë fshatra të thellë të Pukës vijojnë të jen të populluara fal kushteve që ka ofruar Misioni “Shën Jozefi”. Shembulli i motër Gracia dhe Bernadet i transmetuar në shume prej mediave evropiane ka bërë shpesh xhirot e botës ndërsa ata vijojnë të jetojnë larg luksit me të cilin u rriten në vendlindjet e tyre . Kontributi i tyre disa here me i madh se ai shtetit për malësoret e varfër të Pukës meriton mirënjohjen që jo gjithnjë u shprehet murgeshave franceskane, humanisteve ndaj të cilave mirënjohja është shumë pak.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: