NGA: VJOLLCA KONGJONI* Sezoni i plazhit ka nisur edhe për këtë vit. Por nëse prisni që të keni plazhe të mirëadministruara publike kjo nuk do të ndodhë. Situata do të jetë e njëjtë me vitet e kaluara. Kjo pasi menaxhimi i tyre do të vijojë të mbetet në duart e pushtetit vendor, pra bashkive dhe komunave bregdetare deri më 15 shtator. Në një intervistë për News 24 drejtori i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit Auron Tare shprehet se situata kaotike e vijës bregdetare në gjithë këto vite është pasojë e keqmenaxhimit nga pushteti lokal.

“Në Shqipëri nuk ka plazhe private e gjitha është pronë publike, sigurisht që jepet me koncesion si pronë shtetërore apo me qera dhe kjo metodë është abuzuar në këto vite nga pushteti lokal i cili nuk ka bërë një planifikim të qartë të dhënies së plazheve dhe me qera të plazheve por edhe hapësirave të publikut. Ende sot komunat dhe bashkitë nuk kanë një hartë të qartë në njësitë ku vendosen stacionet e plazhit ku dhe janë plazhet publike. megjithë insistimin tonë kjo nuk është bërë sepse ne ende nuk jemi administrator të plazheve dhe menaxhohet nga pushteti lokal, që sipas vkm duhet të përgatisë hartën vendet ku janë plazhet publike, vendet që jepen me qera, tarifat që duhet të paguajnë, mbledhjen e të ardhurave , ku shkojnë këto të ardhura. Ne pamë që një vit më parë të ardhurat nga menaxhimi i plazheve publike u mblodhën vetëm 800 mijë lekë, ndërkohë që mali i zi me cerekun e vijës tonë bregdetare mblodhi dhjetë fishin e të ardhurave sepse ata kanë një klauzolë specifike ku ato para i kthehen vijës bregdetare për investime ndaj kanë edhe një sukses të madh në mirëmbajtjen e tyre”, pohoi Tare.

Situata shihet më tepër problematike gjatë kësaj periudhe edhe me zgjedhjet vendore të 21 qershorit, ku bashkitë e reja do të kërkojnë sërish përfshirjen në administrimin e zonave bregdetare.

“Pritet të përfundojnë zgjedhjet e 21 qershorit dhe hyrja në fuqi e ligjit të ri të turizmit. Pas shtatorit do të ndryshojë menaxhimi i vijës bregdetare për të krijuar një administrim sa më të mirë të brezit bregdetar. Ne kërkojmë të ndryshojmë formulën e menaxhimit të hapësirës së plazheve publike, nëse ne do të aplikojmë përsëri të njëjtën formulë do të kemi të njëjtin rezultat por meqenëse ne aplikuam reformën e re territoriale është një proces i ngadaltë që kërkon kohën e vet, duhet edhe përfshirja e pushtetit lokal sepse ka edhe kundërshti nga pushteti lokal nëse i merr administrimin e vijës bregdetare.”, tha Auron Tare.

Duke qenë se edhe tarifat që pushuesit paguajnë për këto plazhe vendosen nga këshillat e komunave dhe bashkive, edhe për këtë sezon veror nuk do të ketë ndryshime. Pagesa do të bëhet sipas vlerës së përcaktuar nga subjektet që i kanë marrë ato me qera. Po cili është modeli i propozuar nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit për menaxhimin e plazheve dhe hapësirës bregdetare në përgjithësi.

“Formula që ne kemi propozuar është e mbështetur sipas modelit të vendeve fqinje, Kroaci, mal i zi ku të ardhurat që dalin nga një plazh specifik, i rikthehen zonës, pra zhvillimit të pushteti lokal, kështu që nuk është i përjashtuar. Në formulën e menaxhimit që ne kemi propozuar dhe presim që të miratohet ne do edhe marrja me qera do të hyjë në bazë të kritereve dhe standardeve që subjektet ofrojnë, nëse nuk i plotësojnë i hiqet kjo e drejtë. Do të jetë një garë e hapur ccdo fillim viti do të përcaktohen zonat që do të jepen me qera për publikun dhe subjekti që do ta fitojë do të lidhë një kontratë pesë vjeçare. Edhe hapësira që do të marrë do të jetë më e madhe me qëllim që ai që e merr të investojë sepse kur i jep me hapësirë të vogël apo për katër muaj administratorët nuk kanë interes të investojnë. Ne kemi propozuar dhe kemi gati planifikimin dhe rregulloren specifike për ccdo plazh, por nuk kemi mundësi t’i aplikojmë në terren pasi ato administrohen ende nga pushteti lokal deri në muajin shtator.”, tha Tare.

Megjithatë përsa i takon mirëmbajtjes dhe pastrimit të plazheve publike qeveria përmes një VKM ka vendosur që deri më 15 shtator 300 punonjës në plazhet më të mëdha të vendit do të sigurojnë pastërtinë në to.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: