NGA FATMIRA NIKOLLI*

Të gjitha kalatë u ndërtuan nga pushtuesit, t’i shembim? Kjo është pyetja që shtron studiuesi më i mirë i kalave në Shqipëri, Gjerak Karaiskaj. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, në kuadër të debatit mbi vendosjen e pllakës në osmanisht në Kalanë e Lezhës(e vitit 1522), profesori sqaron se pse vënia e kësaj pllake vlen për trashëgiminë tonë, e jo për vlerësimin e kulturës së pushtuesit. Duke u distancuar nga kundërshtarët, ai i krahason ata për nga egërsia me regjimin komunist. Debati u bë më i gjerë, mbasi ditën e Bajramit, muret e kalasë poshtë pllakës u gdhinë me shkarravinën: Mos u shitni te osmanët.
Pak ditë më parë në portën hyrëse të kalasë u vu një pllakë e 1522-it, që tregon vitin ku u rindërtua kalaja. “Sulltan Sulejmani, ka rikonstruktuar këtë kështjellë të bekuar, Zoti e përjetësoftë mbretërimin e tij dhe i dhëntë jetë të gjatë. Me ndihmën e (arkitektit) Dervish Muhamedi, i biri i Uzgur. Kryelarta kështjellë e fortë e Sulejmanit. Viti 928 (ose me kalendarin gregorian, viti 1522)”, përkthehet mbishkrimi në pllakë mermeri.
-Profesor, ju i keni studiuar gjatë kalatë shqiptare. Rivënia në Kalanë e Lezhës së mbishkrimit të vitit 1522 ka ngjallur debat. Cili është mendimi juaj, duhej vënë?
Kjo pllakë ka qenë aty ku është sot. Më vonë, siç duket, e kanë vjedhur, duke menduar se ka ndonjë vlerë. U gjet në kopshtin e njërit, qëndroi në muze, u rizbulua dhe u vu atje. Nuk ka asgjë për tu shqetësuar.
-Janë dy pikat mbi të cilat ngrihet debati: e para, meqë është në osmanishte, shihet si ndikim i pushtuesit dhe e dyta, se me vënien e saj, zhvlerësohen datime të mëhershme të kalasë, duke u identifikuar me vitin 1522. Cili është argumenti juaj mbi këto dy çështje?
Si fillim, po ju them se kjo pllakë, është pjesë e monumentit. Do ishte mirë të mos ishte hequr nga aty sepse është pjesë e monumentit. Nuk është e vetmja kala me pllakë, ka pasur edhe në të tjera. Ka pasur në Kalanë e Kaninës, ku tregohej se ajo qe rindërtuar në shek.XVI. Nëse këto pllaka do ishin zhdukur ne nuk do e dinim se kur u rindërtuan. Studimi i kalasë pa to do ishte i vështirë.
Është edhe një problem tjetër: Unë mendoj dhe gjykoj egërsinë e këtyre njerëzve, të cilët janë kategori të ndryshme, pseudonacionalistë, injorantë, ka nga të gjitha llojet. Sikur këta të kishin qenë në pushtet dikur, unë do të isha i pushkatuar.
-Gjatë komunizmit?
Po, sepse unë e kam shkruar që në komunizëm që Sulltan Sulejmani, e rindërtoi Kalanë e Lezhës. Faktikisht, këta po ia kalojnë edhe komunizmit në egërsi. Se cilën pjesën ka rikonstruktuar Sulltani, atë e përcakton shkenca.
-Fakti që u rikonstruktua nga pushtuesi, dhe ne e ruajmë atë, çfarë do të thotë? Po e ruajnë kulturën e pushtuesit apo trashëgiminë tonë?
Unë do i pyes këta, po para osmanëve, kush ishte? A nuk ishin pushtues të tjerë? Ne nuk kemi pasur shtet të pavarur, ne kemi qenë pjesë e perandorive. Që nga Perandoria Romake, ajo Bizantine dhe më pas ajo Osmane. Si t’ia bëjmë tani, ta rrafshojmë fare kalanë? Sepse të gjitha i kanë bërë pushtuesit.
-A është problemi i fesë që solli Perandoria Osmane ajo që e ngre këtë debat?
Atëherë, ne jemi shtet laik e nuk bëjmë dallime fetare. E gjithë kjo është një debat me nxitje fetare, se nga cili burim vjen e kush i organizon këta njerëz, s’e di. Pushtues, ishte vetëm ai që kishte fenë islame? Po ata të tjerët? Detyra jonë është t’i studiojmë dhe të themi se cila pjesë u bë nga cila perandori. Shumë prej kalave të rëndësishme bëheshin me urdhër të perandorit. Më pas ka pasur periudha të ndryshme që janë bërë nga feudalët shqiptarë. Aty, në mbishkrimin e Lezhës, përmenden Skurajt, çfarë të bëjmë me ta? Skurajt janë miq apo armiq, si tua lëmë atyre? Hajde ia heqim edhe Skënderbeut titullin, se ka titull bej? Si t’ia bëjmë? Kjo është një lloj injorance që nuk ka ekzistuar as në atë regjimin e tmerrshëm, që nuk ndodh në asnjë vend të botës.
-A ka rrezik të vidhet aty ku është, siç shprehej Aleksandër Meksi?
Po, se këtu çdo gjë vidhet. Kjo nuk do ishte hera e parë. Janë vjedhur dy pllaka, njëra në Kalanë e Tepelenës e tjetra në atë të Porto Palermos, në vitin 1997. Këto pllaka tregonin kohën se kur ishin ndërtuar kalatë dhe jepnin emrin e arkitektit të Kalasë së Porto Palermos. Këto që janë kundër vënies së pllakës së vitit 1522 në Lezhë, besoj janë shumë të gëzuar që janë vjedhur ato të dyja në jug. Dhe kur s’ke asnjë gjurmë, historian bëhet kushdo. Janë gjëra që nuk ndodhin në asnjë vend të botës, veçse këtu.
-A ishin me vend krahasimet me ISIS?
Nga lloji i dëmit nuk është, por nga lloji i mendjes, mund të jetë. Po të kenë mundësi e bëjnë atë dëm, por aq kanë pasur mundësi e aq kanë bërë. Pastaj si nuk flet njeri për ata që kanë marrë gjysmën e kalasë, marrin gurët e i vjedhin? Kanë bërë edhe parkingje, edhe një rrugë që të çon lart? Ata thonë “mos u shitni te osmanët”, pse këta janë patriotë? Hajdutë patriotë.

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb