Deputeti i Partisë Demokratike i Qarkut të Shkodrës, Bardh Spahia me anë të një reagimi në rrjetin social “Facebook” ka shpërthyer në akuza të ashpra ndaj Gramoz Ruçit, një ditë para se ai të votohet si kryetari i ri i Kuvendit të Shqipërisë. Në statusin e tij, Spahia e akuzon Ruçin edhe si “një ndër ideatorët dhe firmëtarët e vrasjes së 4 të rinjve dhe plagosjes së dhjetëra qytetarëve shkodrane në protestën antikomuniste te studenteve me 2 Prill 91 ne Shkoder”, duke shtuar se “Ruci është modeli i kundërt me standartet e sistemit të lirisë së fjalës të institucioneve demokratike të Europës dhe SHBA”.

Statusi i plotë i deputetit Bardh Spahia
Ruci në krye të Kuvendit, jo përfaqësim i Sovranit por cënim i integritetit, sovranitetit dhe moralit të shqiptarëve.
Në kohën kur Shqipëria një vend anëtar i NATO-s, është në pikëpyetje të rrezikshme për hapjen e negociatave me BE për shkak të një qeverisje të lidhur kryekëput me krimin dhe trafiqet e drogës, nga partia shtet vjen një provokim edhe më i rëndë për cdo shqiptar dhe vetë institucionet demokratike; emërimi partiak i Gramoz Rucit si kryetar i Parlamentit pluralist. Ruci nuk mund kurrsesi të jetë modeli i përfaqësimit të sovranit, ai është figura që cënon rëndë sakrificat dhe përpjekjet shekullore të elitave të Kombit, nga Veriu në Jug, familjet e pasura e fisnike që u burgosën, u pushkatuan me gjyq e pa gjyq në burgjet dhe gulaget e Enver Hoxhes. Emërimi i Rucit provokon duke fyer historinë më të ndritur të shqiptarëve, protestat mbarkombëtare për rrëzimin e diktaturës, në vitin 90, prirjet demokrate dhe europiane të të rinjve, studentëve të Dhjetorit dhe të gjithë shqiptarëve të cilët përmbysën muret e diktaturës nën moton “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”
Pas njëcerek shekulli tranzicioni shumë të vështirë emërimi i Gramoz Rucit, Ministrit të fundit të Brendshëm të diktaturës komuniste me bilanc drithërues të dhjetra shqiptarëve të vrarë mizorisht në kufijtë me tela me gjemba, Sekretar i parë të Partisë së Punës në Tepelenë, një ndër ideatorët dhe firmëtarët e vrasjes së 4 të rinjve dhe plagosjes së dhjetëra qytetarëve shkodrane në protestën antikomuniste te studenteve me 2 Prill 91 ne Shkoder, përbën ngjarjen më të turpshme dhe më të rëndë për pasardhësit e etërve komunistë, të ardhur në pushtet në 2013 nëpërmjet paktit me krimin dhe mashtrimit të qytetarëve shqiptarë.
Ruci është modeli i kundërt me standartet e sistemit të lirisë së fjalës të institucioneve demokratike të Europës dhe SHBA,
Një shoqëri që po bën përpjekje titanike për tu shkëputur nga e kaluara e vet më e errët, një vend që ka përjetuar izolimin më të thellë dhe mjerimin më të madh ekonomik në Europë, një vend ku asnjë klasë politike dhe ish politike nuk ka bërë asnjëherë një MEA CULPA ndaj gjenocidit të mijra shqiptarëve, promovimi i një njëriu bashkëpunëtor me diktatorin është një varrosje e dytë e vetmohimit, sakrificave dhe kujtimit të tyre.
Kjo qeveri dhe mazhorancë me këtë emërim pa asnjë moral e kriter historik e politk, do ti verë vulën përfundimtare antieuropianizimit të Shqipërisë dhe instalimit së një sistem autoritarist oligarko-komunist.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb