TIRANË- Dy eurodeputetët Knut Fleckenstein dhe Hannes Swoboda janë takuar sot me deputeten socialiste Mimoza Hafizi, një nga zërat kritikë të qeverisjes, pjesë e lëvizjes “Shqipërinë mbi partinë” bashkë me deputetin Ben Blushi.

Pas këtij takimi, Hafizi është shprehur shumë optimiste për kauzën e nisur. Ajo tha se i ka kërkuar 2 deputetëve të ushtrojnë presion mbi PS-në për hapjen e kutive të referendumit. Gjithashtu deputetja socialiste deklaroi se i ka informuar me detaje për çfarë po ndodh brenda PS-së dhe që nga marrja e pushtetit në vitin 2013.

“Një grup përfaqësuesish të forumit evropian kanë ardhur në Shqipëri për të parë si është situata sidomos në partitë e majta. Isha e ftuar si përfaqësuese e përpjekjes mbi atë që po bëjmë që e kemi quajtur “Shqipërinë mbi partinë”. Shpjegova me detaj çfarë ka ndodhur nga marrja e pushtetit në 2013 dhe sidomos çfarë po ndodh brenda Partisë Socialiste. Iu kërkova të ushtrojnë presion që PS të hapë kutitë e referendumit. Iu shpjegova përpjekjen tonë për të bërë transparent të quajturin referendum në PS. Përgjigjja ka qenë më e bukura e mundshme: Mos u dorëzoni, që do të thotë vazhdoni betejën”, ka deklaruar Hafizi.

Për të, biseda me 2 eurodeputetët ka qenë një bisedë shumë e vëmendshme, shumë dashamirëse nga e cila ka nxjerr konkluzionet që miqtë europianë e vlerësojnë përpjekjen për demokraci në partitë politike”.
E pyetur nëse do vazhdojë përpjekjet e saj, Hafizi tha se është më e vendosur se kurrë.
“Sidomos pas ditës së sotme më shtohen energjitë”, tha ajo.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: