“Çdo trajner do ta kishte zili atë që po bën Silvinjo në një kohë kaq të shkurtër te Kombëtarja shqiptare”. Kështu shprehet fillimisht ish-trajneri i kuqezinjve, Astrit Hafizi, në një intervistë për “Panorama Sport”, duke vlerësuar ndryshimet që braziliani ka sjellë në ekipin kombëtar, edhe pse ka disa kritika të vogla për ndeshjen e parë, por këtë e justifikon me kohën e shkurtër që trajneri i ri ka në stol. Hafizi mendon se në ndeshjet e ardhshme Shqipëria duhet të guxojë, sepse vetëm kështu mund të arrijë të marrë rezultate pozitive.

Në fund, i pyetur për atmosferën e zjarrtë në takimin me Moldavinë, si dhe praninë e shumë figurave të njohura të futbollit shqiptar, ai shprehet: “Unë kam kohë që nuk jam në preferencat e FSHF-së për ndeshjet e Kombëtares. Kam kohë që nuk marr një ftesë. Besoj se drejtuesit e federatës dhe në veçanti presidenti, i di këto punë”, tha Hafizi, që “ngacmon” nëpërmjet intervistës Armand Dukën.

Dy ndeshjet e qershorit ishin brenda pritshmërive dhe u arritën të merreshin gjashtë pikë. Në syrin tuaj, si ju është dukur paraqitja e Kombëtares?

Për një trajner që vjen për herë të parë dhe ka kohën e shkurtër siç ishte rasti i Silvinjos, është diçka që çdo trajner do ta kishte zili. Që për dy ndeshje, për një kohë kaq të shkurtër, për të zgjedhur lojtarët, për të futur diçka të re, mendoj se është shumë pozitive. Për më tepër i vlejti Silvinjos duke parë që nuk kishte shumë kohë në dispozicion. Është diçka shumë e mirë që ta fillojmë me gjashtë pikë, pavarësisht se kishim edhe shortin që na favorizonte, duke pasur parasysh se janë dy skuadrat e fundit në grupin tonë. Megjithatë, fitoret janë fitore dhe do të vlejnë për ndeshjet e ardhshme.

Ju e keni ndjekur Kombëtaren në kohën e Edi Rejës, por nga jashtë sa ndryshe duket kjo Shqipëri?

Në aspektin e sulmit është krejtësisht ndryshe. Ka diferenca të mëdha loja e sulmit nga Reja te Silvinjo. Kjo u pa në këto ndeshje dhe vetë sistemi i lojës, 4-3-3 apo 4-2-3-1, mendoj se e tregon “ një gjë të tillë. Braziliani i dha shenjat dhe ai që i ka parë ndeshjet me kujdes, edhe pse me Moldavinë kishim disa defekte. Por, kuptohet që nuk është e lehtë të ndryshosh sistemin e lojës në një kohë kaq të shkurtër.

Marr shkas t’ju pyes edhe për rastin e Ervin Fakajt, i cili u shpreh pak javë më parë se u përjashtua nga Kombëtarja e Veteranëve…

Është një turp. Diçka që nuk i shkon asnjë federate. Mund të them diçka edhe nëpërmjet kësaj interviste, sepse ne flasim më shumë në përgjithësi. I them presidentit Duka, je apo nuk je në krye dhe bashkë me gjithë të mirat që ke bërë për futbollin tonë, nuk mund ta heqësh emrin tim nga ajo që kam bërë, sado pak dhe modeste, për ekipin kombëtar. Unë e kam vendin tim, por…

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: