KORCE- Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj në fjalën e tij theksoi rëndësinë e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive në Korçë, në prag të festave të 28-29 Nëntorit. Ai tha se e ardhmja e Kosovës dhe e Shqipërisë është në BE. Sa i takon dialogut me Kosovën, kryeministri Haradinaj tha se mbyllja e dialogut me Serbinë është afër.

Haradinaj u shpreh se beson në faktin se finalja e dialogut me Serbinë do të jetë me njohjen e Kosovës si shtet.

Sakaq ai i kërkoi ndihmë kryeministrit Rama, në rrugën e Kosovës drejt integrimit dhe njohjes nga sa më shumë shtet.

haradinaj
Fjala e plotë e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj
Këtë takim të dy qeverive tona po e mbajmë në qytetin e Korçës, qendrën e Rilindjes sonë kombëtare, qytetin e shkollës së parë shqipe, dhe po ashtu në 150 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Ky vit po ashtu është viti mbarëkombëtar i Skënderbeut, i shpallur nga qeveria e Shqipërisë dhe kryeministri Rama. Ky vit pasqyron në vetvete ëndrrën tonë euro-atlantike, të cilën më së miri e realizojmë së bashku. Shfrytëzoj rastin që në këtë takim të dy qeverive, të përcjell disa arritje të qeverisë së Kosovës në këtë kohë të shkurtër. Së pari, axhenda europiane e Kosovës është integruar dhe tashmë është program qeverisës i vendit. Njëkohësisht në një axhendë shumë të vlefshme për ne, siç është anëtarësimi në NATO i Kosovës. Jemi seriozë, po punojmë me partnerët tanë, dhe besoj se jemi në drejtimin e duhur.

Do të kemi transformimin e forcës sonë në Forca të Armatosura të Kosovës. Ne i kemi kushtuar shumë rëndësi forcimit të rendit dhe ligjit, sidomos dhënien më shumë fuqi në bazë të mandatit ligjor, gjithë mekanizmave të rendit dhe të ligjit. Kemi përkrahur këshillin gjyqësor, këshillin e prokurorisë, mekanizma të tjerë, dhe mund të them se sot në Kosovë parametrat flasin për më shumë rend dhe ligj. Ajo që mbetet sfidë për Kosovën është lufta ndaj korrupsionit, një e keqe e re që e rrezikon Kosovën në shumë drejtime. Ne jemi fokusuar në punën në ekonomi, e sidomos të fokusuar tek prodhuesit e vegjël dhe të mesëm, me politika fiskale lehtësuese për ta, po kështu edhe me një paketë ligjore në vend.

Ne na mbetet të bëjmë më shumë punë në drejtim të logjistikës, krijimit të mundësive për investime, pra infrastruktura e nevojshme. Po punojmë në forcimin e Kosovës, në planin e brendshëm edhe pse vendi përballet me shumë sfida, të cilat janë specifike, edhe për faktin se është ende një shtet i ri, dhe ka çështje të pambyllura. Por po them se jemi të vendosur për dialogun me Serbinë, por atë tashmë e shohim në momentin final, dhe mendojmë se mbyllja e dialogut duhet të sjellë njohjen mes Kosovës dhe Serbisë. Dhe që dialogu të arrijë epilogun ne e shohim të nevojshme pjesëmarrjen e SHBA. Pra dialogun e shohim të lehtësuar nga BE dhe SHBA.

Në planin rajonal ne jemi të interesuar që të thellojmë marrëdhëniet me të gjitha vendet fqinje, dhe besoj i kemi dërguar sinjalet e duhura, dhe do vazhdojmë ta bëjmë këtë. Në planin ndërkombëtar, Kosova ende është në vështirë në anëtarësimin në mekanizmat ndërkombëtare, në organizime të kësaj natyre, në marrjen e njohjeve, dhe këtu dëshiroj të kërkoj edhe njëherë dhe të apeloj se vetëm sëbashku edhe Shqipëria mund ta ndihmojë Kosovën, në këto procese që janë me shumë rëndësi për forcimin e pavarësisë së vendit. Ne duke punuar për ta forcuar Kosovën, rritim respektin për vetveten, por edhe vetëbesimin tonë sepse vitin që vjen jemi 10 vite shtet.

Forcimi i Kosovës, por edhe si shtet në Ballkan, arrihet më mirë me bashkëpunim mes dy vendeve tona, ndaj puna e mirë që keni bërë i nderuar kryeministër për arritjet e këtij takimi, dhe njëkohësisht puna e bërë e avancuar, që do të çojë në të ardhmen e afërt deri në unifikimin e doganave, mendoj se na bën të ndihemi krenarë. Por kjo nuk mjafton. Unë e di se populli i Kosovës, populli i Shqipërisë dhe të gjithë ne, presin më shumë nga ne, dhe të gjithë ne prej këtu do të vazhdojmë me punët që na presin dhe që janë shumë. Me punë nderojmë sakrificën për liri të gjithë brezave, me punë nderojmë përgjegjësitë që kemi dhe vetëm me punë do të marrim respektin nga të gjithë.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb