NGA: AURORA KOROMANI*  Nuk i dimë shifrat e viktimave, por burime të pakonfirmuara flasin për 3 të vrarë e 20 të plagosur”. Kështu shprehet Ahmet Lala, i ngarkuari me punë në Ambasadën Shqiptare në Maqedoni, gjatë një bisede telefonike për “Gazeta Shqiptare”. Ai shtoi se nuk dihet identiteti dhe etniteti i viktimave. Për këtë arsye, Lala sqaron se nuk mund të nxitohemi dhe të themi se kemi të bëjmë me një sulm etnik ndaj shqiptarëve. I ngarkuari me punë në Ambasadën Shqiptare në Maqedoni shprehet se sulmi me armë në këtë zonë ka nisur pasi kishte dijeni se një grup i armatosur, i cili nuk dihet nëse janë apo jo shqiptarë, mund të sulmonin autoritetet maqedonase.
Zoti Lala, meqë ju jeni më afër situatës në Kumanovë, mund të na thoni se çfarë po ndodh konkretisht atje?
Ne kemi gjithë ditën që merremi me këtë punë dhe çdo informacion ia kemi përcjellë Ministrisë së Jashtme. Çdo gjysmë ore, çdo një orë i kalojmë informacione Ministrisë së Jashtme për ta njohur me situatën këtu.
Sa është numri i viktimave dhe i të plagosurve në Kumanovë, pasi mediat maqedonase kanë përcjellë informacione se deri tani janë shënuar 5 viktima dhe mbi 20 të plagosur?
Nuk ka shifra të konfirmuara për numrin e të vrarëve dhe të plagosurve, pasi në vendin ku ndodh beteja nuk mund të futet asnjë gazetar, asnjë person, prandaj nuk dihet se sa është numri i saktë i viktimave dhe i të plagosurve. Madje, as zëdhënësi i Ministrisë i Punëve të Brendshme në Maqedoni nuk ka dhënë një shifër të saktë për ngjarjen.
Ne i kemi ndjekur të gjitha deklaratat zyrtare, por do donim të dinim nga ju nëse keni informacione se sa të plagosur dhe viktima janë shënuar nga sulmi me armë në Kumanovë?
Nuk kemi shifra të sakta, sepse nuk ka se kush t’i marrë, por nga burime të pakonfirmuara thuhet se janë 3 të vrarë dhe 20 të plagosur.
Si ka nisur e gjithë ngjarja? Përse po ndodh një sulm me armë në këtë zonë?
Në deklaratën e tij, zëdhënësi i Ministrisë i Punëve të Brendshme në Maqedoni u shpreh se një grup i armatosur, pa theksuar se sa i madh është grupi apo se çfarë etnie ka, dyshohet se kishin hyrë nga një vend fqinj dhe kishin si qëllim të sulmonin institucionet maqedonase. Ministria e Brendshme maqedonase tha se grupi është diktuar nga autoritetet maqedonase dhe për këtë arsye u sulmua grupi, për të parandaluar sulmin ndaj institucioneve. Kaq mund të themi për momentin për atë që po ndodh në Kumanovë. Pjesëtarët e këtij grupi, janë shqiptarë?
Ministria e Brendshme e Maqedonisë nuk thotë se ky grup është shqiptar.
Mos ndoshta po përdoret sulmi ndaj këtij grupi si pretekst për të sulmuar banorët shqiptarë të Kumanovës? Mos ndoshta kemi një sulm me armë në këtë zonë për shkak të ndasive etnike?
Nuk mund të themi se është kështu, por nuk mund të themi as se nuk është kështu, sepse nuk dihet ende identiteti i të vrarëve, nuk dihet akoma nëse janë shqiptarë apo jo dhe nuk dihen etniteti, gjuha dhe kombësia e tyre. Ka vetëm të dhëna për të plagosurit që janë nga radhët e policisë dhe ata janë maqedonas.
Ju jeni në kontakt gjatë gjithë kohës me autoritetet maqedonase?
Po, jemi gjithë ditën në kontakt me autoritetet maqedonase, partitë politike këtu në vend, ambasadat e huaja dhe do rrimë gjithë kohës në kontakt për zgjidhjen e kësaj situate.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: