Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka deklaruar se opozita është e gatshme të mbështesë edhe një kandidat që nuk vjen nga radhët e Partisë Demokratike, nëse kjo do të ndihmonte në mposhtjen e kryeministrit Edi Rama.
I ftuar në emisionin “Prime News24” në News24, Këlliçi u pyet nëse demokratët do të pranonin të mbështesnin një kandidaturë të përbashkët që nuk i përket partisë së tyre. Ai u përgjigj se përballë Edi Ramës nuk do të kishte asnjë hezitim apo kufizim në këtë drejtim.
Gjatë intervistës, deputeti demokrat foli edhe për reformën zgjedhore, duke bërë të ditur se propozimi zyrtar i Partisë Demokratike në tryezën e Komisionit të Posaçëm është hapja 100 për qind e listave zgjedhore, duke nisur nga zgjedhjet lokale.
Sipas tij, kjo skemë duhet të përfshijë edhe listat për këshillat bashkiakë, në mënyrë që qytetarët të kenë më shumë mundësi të zgjedhin përfaqësuesit e tyre.
“Për të mundur Edi Ramën? 100 % , pa limite pa asnjë hezitim. Madje duke qenë se jemi në përfundim të afateve të Komisionit të Posaçëm për reformën zgjedhore, edhe propozimi ynë zyrtar në tryezë është për të hapur listat 100 % por duke nisur nga zgjedhjet lokale dhe duke bërë të mundur që edhe në lista të Këshillit bashkiak të jenë lista të hapura 100 % për të patur mundësi që të kemi mundësi që të kemi sa më shumë emra për të përfaqësuar edhe protestën edhe lëvizjen studentore edhe partitë politike”, tha Këlliçi.
