Ish-ministri shqiptar i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, njëherazi kryetar i PR-së, në një analizë të tij të publikuar në rrjetin social “Facebook” ka komentuar zhvillimet në rajon, e veçanërisht në Kosovë duke nxjerrë pah sipas tij skenarin e Rusisë për të destabilizuar Ballkanin.

Nga Fatmir Mediu
Ato që po ndodhin në Kosovë nuk janë të rastësishme. Kërkesa për arrestimin e Ramush Haradinajt ka për qëllim delegjitimimin e luftës së UÇK dhe pavarësisë së Kosovës. Treni i nisur drejt Kosovës nuk është kapriço e disa individëve në Beograd, por skenar i cili kalon kufijtë e Kosovës me qëllime të qarta gjeopolitike të Rusisë në Ballkan ku Serbia është aleati i tyre.
Mos të harrojmë ndërhyrjen e hapur të Rusisë në zgjedhjet në Malin e Zi, deri në skenarin e eleminimit fizik të Gjukanoviçit.
Sot Ministri i Jashtëm i Rusisë, Lavrov deklaron:
“Shqiptarët nuk duhet të jenë prezentë në zonat e banuara me serbë”.
Po ta analizojmë këtë deklaratë, tashmë Rusia stimulon një konflikt të ri në Kosovë nëpërmjet përcaktimit të raporteve të reja etnike dhe kufi të rinj. Ideja e Rusisë për të krijuar një “buffer zone” në Ballkan me Serbinë, Bosnjën, Malin e Zi dhe Maqedoninë është një skenar tashmë i mirëmenduar për t’ju kundërvënë NATO-s dhe vendeve anëtare të saj.
Po ashtu tendenca për rikonsiderimin e Bosnjës shton faktorët e një kërcënimi real në Kosovë dhe Ballkan.
Ndërkohë për interesa personale Rama pushteti politik dhe ekonomik, i ka dhene mundësi Vuçiçit dhe Serbisë që të shfaqet si faktor stabiliteti në Ballkan, duke marrë përsipër një marrëdhënie të shkëlqyer mes dy miqve kryeministër, dy vendeve dhe dy popujve shqiptarë dhe serb.
Faktori politik shqiptar në rajon i cili para disa vitesh ishte në marrëdhënie të jashtëzakonshme për zhvillimet në Ballkan, faktor real europian dhe stabiliteti në rajon, sot është në gjendjen më të mjerueshme.
Serbia ka bërë përpjekje pa fund në çdo kohë që të përfshijë në diskutimin për Kosovën, pikërisht Tiranën (pa peshë diplomatike dhe gjeopolitike apo ushtarake), duke kërkuar të shmangë angazhimin e BE dhe në veçanti të SHBA.
Kjo politikë e Ramës, në kundërshtim me të gjithë politikën e Shqipërisë gjatë këtyre viteve (e cila ka diskutuar çdo qëndrim me SHBA dhe BE), i ka dhënë avantazhe Serbisë dhe njëkohësisht gjallërim të Rusisë në skenare për të zgjeruar konfliktin dhe interesat e saj gjeo-politike në rajon. Kjo ndihmohet nga një politike e çartur e shqiptarëve kudo që janë:
Qeveri korruptive, konfliktuale e primitive në Tiranë. Çështja kombëtare e zëvendësuar me aventura për interesa personale e klanore që i japin frymë klaneve antishqiptare.
Politika e Kosovës e përçarë me autoritete të dyzuara në qeverisje dhe konflikte pa fund.
Maqedoni, parti politike pa fund për një çështje të vetme. Shumë komandantë, pak deputetë.
Prishtina dhe Tirana nuk mund të mjaftohen me deklarata për ndalimin e trenit si tregues “force” por të vendosin qëndrime të prera në raport me Serbinë dhe Shqipëria e Rama që s’kuptuan njëherë që janë vend anëtarë i NATO-s të fillojnë të diskutojnë intensivisht për këtë çështje si një cënim i drejtpërdrejtë i sigurisë në rajon.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb