VLORE– Kryeministri Edi Rama sjell në vëmendje inspektimin në kantierët e Vlorës gjatë punimeve dyditore të KM, ku në fokus është Rilindja Urbane dhe shpallja e Kaninës zonë e mbrojtur e trashëgimisë kulturore, që do të pësojë një transformim rrënjësor.

Në statusin e tij social “Facebook” pasditen e së hënës, Rama shkruan: “Në kantieret e ndërtimit të Vlorës që duam, gjatë punimeve dyditore të Këshillit të Ministrave në Qarkun e Vlorës. Në qendër të Kaninës që pas shpalljes me vendim të Këshillit të Ministrave zonë e mbrojtur e trashëgimisë kulturore, do të pësojë një transformim rrënjësor duke filluar me rindërtimin e sheshit historik, rikonstruksionin dhe transformimin e Pallatit të Kulturës në një qendër moderne kulturore, për të vijuar me radhë me të gjitha ndërhyrjet e nevojshme për rilindjen tërësore të kësaj zone me tradita kulturore dhe bukuri të jashtëzakonshme natyrore”.

Rama shton se “Në nënstacionin e ri të energjisë në Orikum, punimet në të cilin përmbyllin segmentin e fundit të investimeve për rimëkëmbjen e rrjetit energjetik në zonë, duke zgjidhur përfundimisht të gjithë dramën e rëndë të shumë viteve në bregdetin Jon, që ka torturuar banorët dhe vizitorët e sezonit turistik”.

“Si dhe në Parkun Arkeologjik të Orikut, hyrja në të cilin do të çlirohet dhe ku, shumë shpejt, vizitorët e shumtë do të kenë mundësinë që përtej zbulimeve të reja nga gërmimet e kryera së fundmi, të shijojnë organizmin e ri në një sipërfaqe më të madhe dhe të përshtatur në një park arkeologjik e natyror njëkohësisht”, shprehet më tej kryeministri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: