TIRANË- Kreu i Shtetit, Bujar Nishani ka mbedhur sot Këshillin e Siguris ë Kombëtare, në një takim konsultative me drejtuesit më të lartë të institucioneve në vend, për të diskutuar në lidhje me sfidën globale të terrorizmit pas shfaqjes së tij në mënyrën më brutale, pak ditë më parë, me sulmet në Paris.

Për të bashkëpunuar dhe për të garantuar territorin shqiptar dhe për të rritur sigurinë kombëtare, Presidenti Nishani ka mbledhur në një tryezë, kryeministrin Edi Rama, Kreun e Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi Likën, Kryeprokurorin Adriatik Llalla, Ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, Ministren e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, etj.

Presidenti kërkoi angazhimin e të gjitha institucioneve dhe të Këshillit Kombëtar të Sigurisë për të garantuar sigurinë e territorit shqiptar, nga kërcënimi i terroristëve. Është koha, tha kreu i Shtetit, të krijojmë një aleancë brenda nesh, por edhe me aleatët tanë strategjikë.

Ndërsa kryeministri i vendit, Edi Rama u shpreh se Shqipëria është sot e rrezikuar nga terrorizmi islamik dhe para se vendi të vihet përballë një sprove, duhet që të gjitha institucionet e sigurisë kombëtare ti nënshtrohen një testimi paraprak.

NISHANI: BASHKËPUNIM PËR TË MOS LEJUAR TERRORIZMIN TË NA PREKË
Kreu i Shtetit në fjalën e tij tha se kjo tryezë është thirrur prej tij për të konkluduar masat në lidhje me rritjen e sigurisë kombëtare ndaj një kërcënimi të hapur, siç e quajti ai terrorizmin.

“Nisur nga ngjarjet e fundit të aktit terrorist në Paris është evident fakti që aktiviteti i grupeve terroriste të strukturuara që nga shtatori i vitit 2001 deri me krijimin e organizatave të tjera, ngjarjet në Irak e Siri, por edhe aktet në Europë tregojnë që terrorizimi nuk njeh kufi, çdo shoqëri ndjehet e rrezikuar. Është detyra jonë të vlerësojmë, të koordinohemi për këtë rrezik me aleatët tanë”, tha ai.

Duke kërkuar bashkëpunimin e të gjitha institucioneve të sigurisë, Nishani tha se Shqipëria është potencialisht e rrezikuar për shkak të pozitës së saj, si vend qw lidh tre kontinente. Presidenti kërkoi angazhimin e të gjitha institucioneve dhe të Këshillit Kombëtar të Sigurisë për të garantuar sigurinë e territorit shqiptar, nga kërcënimi i terroristëve. Është koha, tha kreu i Shtetit, të krijojmë një aleancë brenda nesh, por edhe me aleatët tanë strategjikë.

“Duke patur parasysh faktin që Shqipëria është anëtare e NATO-s, duke patur parasysh pozicionin gjeostrategjik, si udhëkryq mes Europës, Afrikës dhe Azisë si një vend që është objektiv dhe për të shfrytëzuar territorin tonë për të lëvizur, krahas arritjeve të rëndësishme që kemi në kontrollin e kufijve kërkohet bashkëpunim më i avancuar i të gjitha agjencive ligjzbatuese.

“Shqipëria është ndeshur me fenomenin e luftëtarëve të huaj, kontigjente shqiptare kanë shkuar në organizata në Siri dhe Irak, janë raste të evidentuara. Rastet e përtalljes së kësaj sfide është një nga shembujt më të mirë që kemi pasur përsa i përket koordinimit. Kjo na fton të rrisim më tej bashkëpunimin mes nesh në rajon, dhe me aleatët tanë strategjikë”, shtoi ai.

RAMA: JEMI TË EKSPOZUAR NDAJ TERRORIZMIT ISLAMIK, TË KRIJOJMË NJË MEKANIZËM SIGURIE
Ndërsa kryeministri i vendit, Edi Rama u shpreh se Shqipëria është sot e rrezikuar nga terrorizmi islamik dhe para se vendi të vihet përballë një sprove, duhet që të gjitha institucionet e sigurisë kombëtare ti nënshtrohen një testimi paraprak.

“Shqipëria është e ekspozuar nga rreziku i terrorizmit ndërkombëtar dhe sfida e re dhe e panjohur më parë e luftës me frymëzim terrorist, është edhe e jona siç është edhe e mbarë Europës demokratike”.

“Do të ishte e udhës që të gjitha institucionet e Sigurisë Kombëtare të marrin mesazhin për tu përfshirë në një program të përbashkët stërvitje, trajnimi që të gjitha strukturat të provohen në kushte të stimuluara. Nëse vihemi përballë në sprove të kemi gati një mekanizëm sigurie”, tha Rama, ndërsa shtoi se ky takim do të rrisë më tej edhe ndjeshmërinë e publikut.

Në fjalën e tij, shefi i qeverisë shqiptare tha se samiti i NATO-s që u mbajt në Uells por edhe strategjia e sigurisë kombëtare që hyri në fuqi po në shtator të 2014, e vlerësojnë terorizmin si një ndër kërcënimet e kohës.

“Zhvillimet e fundit e kanë çuar në një nivel të ri sfidën, por edhe rrezikun e terrorizmit islamik.Shqipëria është e ekspozouar nga rreziku i terrorizmit ndërkombëtar. Qytetarët shqiptarë por edhe nga rajoni i janë përgjigjur thirrjeve të organizatave terroriste të Shtetit Islamik për të luftuar në fushata në Siri apo Irak. Disa prej tyre kanë humbur jetën duke lënë fëmijët, familjet dhe shumë probleme të tjera sociale dhe të sigurisë”, tha Rama.

Unë do t’i ftoja të gjithë tha Rama, që të mos e shohim të shkëputur luftën tonë me pjesëmarrësit shqiptarë në këto fushata egërsirash nga lufta ndaj akteve të brendshme të terrorit.

“Ndonëse fatkeqësisht nga sistemi ynë i drejtësisë në disa raste është aplikuar një politikë penale e butë dhe jo rrallë një gjuhë relativizuese e papërshtatshme përballë faktit. Vepra të tilla si sulmet me tritol kundër linjave të energjisë elektrike, sulmeve me eksploziv në mes të qytetit, trafikimi i eksploziveve janë krime të mirëfillta terrori. Kodi penal i konsideron si krim, me të cilat vendi është ndeshur shumë kohët e fundit. Ndërsa artikulimi i sitemit të drejtësisë ka qenë më i kufizuar për ti vënë këtij fenomeni barbar emrin që ka, terror”, tha Kreu i Ekzekutivit.

Kryeministri nënvizoi më tej se qeveria ka marrë masat e nevojshme në interes të forcimit të sigurisë kombëtare.
“Krahas detyrimeve të qarta ndërkombëtare, qeveria i ka marrë masat e nevojshme të kësaj kohe në interes të forcimit të sigurisë kombëtare. Në këtë aspekt, nuk mund veçse të mbështes konstatimin e Presidentit, pasi në këtë fushë ka një ndërveprim dhe bashkëpunim të suksesshëm mes strukturave të përmendura nga Presidenti. Sensibilizimi i vazhdueshëm i qytetarëve, për rreziqet që paraqet terrorizmi përbëjnë një domosdoshmëri, dhe ky takim, jep kontributin e vetë. Kur qytetarët të binden realisht për rreziqet janë të gatshëm për të bashkëpunuar me institucionet qeveritare duke u bërë një burim i çmuar informacioni. Tradita dhe kapacitetet e tyre janë një mundësi tjetër për të kufizuar rekrutimin e njerëzve në emër të fesë. Qeveria do të bëjë gjithçka për ta mbështetur këtë përpjekje për ta mbrojtur dialogun ndërshoqëror dhe ndërfetar, ashtu siç jam i bindur se Presidenti e ka bërë dhe do ta bëjë këtë, duke dhënë shembull edhe për të tjerët. Por sidoqoftë nuk ka dyshim se mësimi i parë i nxjerrë, është nevoja për koordinim dhe bashkëpunim të thellë mes institucioneve të sigurisë kombëtare. Ne kemi mjaftueshmërisht struktura të sigurisë, por kemi mjaftueshëm hapësira për t’i bërë ata për të funksionuar më mirë.” nënvizoi kryeministri.

(ma.ar/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb