TIRANË- Merr formë të prerë dënimi për Kostandin Xhuvanin, autori i vrasjes se katërfishtë te ndodhur një vit me pare ne një lokal ne “Rrugën e Elbasanit”. Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së parë, për dënimin me 35 vite burg për Kostandin Xhuvanin. 

Djali i ish-deputetes së Partisë Socialiste, bëri ankim ndaj vendimit të gjykatës, që e dënoi me 35 vjet burg për vrasjen e katër personave në Tiranë, dhënë më 10 mars të këtij viti, por kërkesa e tij është hedhur poshtë nga Apeli.

Sipas këtij vendimi, Kostandin Xhuvani, nuk mund të përfitojë kërkesa për liri me kusht apo edhe ulje të dënimit për sjellje të mirë.

Po ashtu dënimin Xhuvani do ta vuajë në një burg të sigurisë të lartë.
Ai u dënua me burgim të përjetshëm për “vrasje në rrethana të tjera cilësuese” në dëm të Edison Jahos, Enea Xhajit, Arbër Demirajt dhe Xhanpaolo Azzolo në ngjarjen e 4 nëntorit 2014, në një lokal nate te Rruga e Elbasanit. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, djali i ish-deputetes i shpëtoi burgut përjetë, pasi gjykata e zbriti ndëshkimin në 35 vjet heqje lirie.

Xhuvani kërkoi një masë dënimi më të butë duke e argumentuar këtë kërkesë me faktin se të gjitha veprimet e tij janë kryer pa dashje, pa vullnet dhe pa ndërgjegje, për shkak se ka qenë nën efektin e alkoolit dhe të drogës.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb