NGA OLA MITRE

“Atletët, futbollistët, balerinët apo personat që punojnë para kompjuterit janë më të rrezikuarit për t’u prekur nga osteoartritet”. Deklarata vjen nga mjeku reumatolog, pranë Shërbimit të Reumatologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Prof.Dr. Argjend Tafaj, i cili përmes kësaj interviste dhënë për suplementin ‘Life Pages’ të ‘Gazeta Shqiptare’ shpjegon në detaje shenjat e osteoartritit, faktorët e rrezikut dhe mënyrat sesi kjo sëmundje mund të parandalohet.

Doktor, çfarë janë osteoartritet?

Në grupin e madh të sëmundjeve që prekin sistemin muskulo-skeletik janë dhe osteoartritet, të cilat janë patologji kronike të sistemit kockor, që karakterizohen nga zbutja dhe dëmtimi i kartilagos artikulare. Osteoartriti nuk shoqërohet me shenja të një sëmundjeje sistemike, nuk është sëmundje parësore ku spikat inflamacioni (skuqje, ënjtje etj.), por ndonjëherë në artikulacione të veçanta mund të jenë evidente shenjat e inflamacionit. Është më tepër një proces sesa një sëmundje, dhe është pasojë e një disbalance ndërmjet një stresi mekanik të ushtruar mbi sipërfaqen artikulare dhe aftësisë së kartilagos për t’i rezistuar këtij stresi.

Cilët janë personat më të rrezikuar për t’u prekur nga kjo sëmundje?
Osteoartriti është sëmundja më e shpeshtë e artikulacioneve dhe një nga shkaqet më të shpeshta të humbjes së aftësive fizike të njeriut. Të gjithë njerëzit që jetojnë shumë, gjatë jetës së tyre provojnë shenjat e osteoartritit të shkallëve të ndryshme. Osteoartriti prek më shpesh disa artikulacione si: gishtat, koksofemoralet, gjunjët dhe kolonën, sesa të tjerët si: bërryli, kyçi i dorës apo kyçi i këmbës. Mund të prekë si meshkujt, ashtu edhe femrat. Ndryshimet e kartilagos artikulare vihen re pothuajse mbi çdo person të moshës mbi 65 vjeç. Nga studime që janë bërë është vënë re që 1% e personave nën moshën 30 vjeç kanë shenja të osteoartritit, 10% e tyre janë mbi moshën 40 vjeç, dhe në personat mbi 65 vjeç ndryshimet janë në mbi 50% të tyre. Pra vihet re edhe në mosha më të reja se 65 vjeç.
mjeku-865x1024

Cilat janë disa nga shkaqet?
Ka disa shkaqe që shkaktojnë osteoartritet, ku përveç moshës, më të shpeshtat janë: obeziteti, densiteti kockor i ulët, anomalitë e lindura (keqformimet e artikulacioneve), traumat, llojet e profesioneve dhe disa sëmundje inflamatore të cilat prekin artikuacionet. Biomekanizmat artikularë, me kalimin e moshës ndryshojnë e për pasojë mbi kartilagon ushtrohet një forcë shtypëse ndryshe nga ajo e mëparshmja. Për pasojë ndryshon edhe kompozimi biokimik i kartilagos, e cila humbet natyrën homogjene të saj, fragmentohet, çahet dhe ulçerohet, kocka zhvishet nga kërci. Një shkak tjetër janë traumat. Kur pjesët kockore nuk janë bashkuar apo nuk janë puthitur mirë (në rastin e frakturave), mund të bëhen shkak që të krijohen osteoartrite. Traumat e vogla dhe të shpeshta, të zgjatura në kohë, gjithashtu çojnë në osteoartrite. Ato dëmtojnë kartilagon e deri në zhveshje të kockës nga sipërfaqja artikulare. Nga ana tjetër, mbipesha trupore bëhet shkak që mbi artikulacionet, kryesisht të anësive të poshtme, si pasojë e forcës mbi normë, që ushtrohet mbi to, të fillojnë shenja të osteoartritit. Alterimi i biomekanizmave mbi artikulacione, si pasojë e mbipeshës është shkaku kryesor i dëmtimit të kartilagos. Shkak tjetër i osteoartriteve ose osteoartrozave janë edhe sëmundjet e tjera reumatizmale inflamatore. Për shembull, artriti reumatoid, artritet bakteriale, artritet tuberkulare, të cilat shkatërrojnë sipërfaqen artikulare, bëjnë që sipërfaqet artikulare të mos jenë më si më përpara, duke krijuar premisa për osteoartrit.

Cilat janë disa nga shenjat e këtyre sëmundjeve?
Në varësi të pjesës së prekur nga osteoartriti emërtohet edhe sëmundja. Kështu, kur dëmtohet qafa quhet spondiloartrozë e qafës, kur preket pjesa lumbare (e mesit) quhet spondiloartrozë e pjesës lumbare, kur preken artikulacionet kokso-femorale quhet koksoartorzë, kur preken gjunjët quhet gonartrozë. Një nga format jo të rralla është edhe osteoartriti i duarve, që karakterizohet me deformimet e artikulacioneve të majave të gishtave. Në këto raste duart jo vetëm që dëmtohen nga ana estetike, por iu bie dhe funksioni, kryesisht për punë të imta (kanë vështirë për të mbërthyer kopsat, të qepin etj.).

Shkrimin e plotë mund ta lexoni në “GSH.al”:

http://www.gsh.al/2017/03/20/argjend-tafaj-osteoartritet-ja-profesionet-me-te-rrezikuara/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb