POGRADEC- Këshilli Bashkiak i Pogradecit kaloi sot në unanimitet Paketën Fiskale të administratës së kryetarit të Bashkisë Eduart Kapri. Vendimi parashikon uljen e një pjesë të taksave kryesisht për biznesin nga 10 deri në 30 %.

“Sot kaluam në unanimitet Paketën Fiskale në Këshillin Bashkiak duke bërë realitet uljen e një pjesë të madhe të taksave nga 10 deri në 30 %. Përshëndes dhe falenderoj të gjithë për kontributin e dhënë për miratimin e këtij vendimi duke i hapur rrugë njëkohësisht edhe miratimit të buxhetit në mbledhjen e ardhshme. Me këtë vendim, Bashkia jep një kontribut më shumë në veçanti për biznesin në Pogradec. Në mbledhjen e sotme folëm edhe për disiplinimin e trafikut dhe parkimit në qytet si dhe për ndotësit e ambjentit, në mënyrë që të rrisim kapacitetet tona për mirëpritur më shumë turistë në një qytet më të pastër”, u shpreh kryebashkiaku Kapri.

Disa prej taksave kryesore do të ulen ndjeshëm për biznesin për të lënë më shumë të ardhura për ta. Taksa e ndërtesës për tregti e shërbime do të ulet në 260 lekë nga 300 që ishte. Tarifa e pastrimit për bizneset e bar-kafe do të ulet me 20 %, nga 12 500 lekë në 10 000 lekë. Kjo taksë do të ulet edhe për biznese prodhuese në territorin e bashkisë në të njëjtën masë që përkasin territorit A.

Nga ulja e taksave do të përfitojnë edhe bizneset që operon në fushën turistike në Pogradec. Taksa janë të ndara në zona të caktuara si zona A dhe B. Në zonën B taksa e pastrimit do të ulet mbi 20 % për hotelet dhe akoma më shumë për bar-kafenetë. Të njëjtën ulje do të ketë taksa e gjelbërimit deri në masën 30 %. Ulja e taksave do të përfshijë edhe taksën e ndiçimit dhe të transportit apo edhe hapjen e bizneseve të reja.

BASHA: VENDIMI PËR ULJEN E TAKSAVE, MODELI I DEMOKRATËVE
Fill pas këtij vendim, ka reaguar kreu i opozitës, Lulzim Basha. Me anë të një mesazhi në rrjetin social “Facebook” Basha e ka cilësuar këtë vendim si modelin e demokratëve. “Këshilli Bashkiak i Pogradecit kaloi sot në unanimitet Paketën Fiskale të kryetarit të Bashkisë Eduart Kapri. Vendimi parashikon uljen e taksave kryesisht nga 10 deri në 30 %. Përshëndes kryebashkiakun Kapri dhe keshilltaret per vendimin per te ulur taksat dhe per ti dhënë frymëmarrje biznesit. Ky eshte modeli i demokrateve: taksa te uleta, punesim dhe zhvillim. Sot ne bashkitë qe drejtojmë, nesër ne qeveri ne te gjithë Shqipërinë.”, citohet në mesazhin e Bashës.

(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: