TIRANE– Nën drejtimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, Këshilli i Lartë i Drejtësisë zhvilloi sot mbledhjen plenare, e cila nisi me njohjen e anëtarëve, mbi informacionin e përditësuar të përgatitur nga Grupi i Punës ngritur me vendimin e KLD-së, në mbështetje të procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve.

Pasi u njohën me veprimtarinë e kryer nga Grupi i Punës prej datës 2 tetor, që përkon me mbledhjen e fundit të KLD-së, anëtarët e Këshillit miratuan në parim disa akte të rëndësishme.

Më konkretisht nga Këshilli u miratua forma standarde e Raportit “Për analizimin e vlerësimit profesional të subjektit të rivlerësimit” që hartohet nga Inspektorati i KLD-së; Po ashtu u miratuan rregullat për përzgjedhjen me short të 5 dosjeve për analizimin e aftësive profesionale nga Inspektorati i KLD-së në procesin e rivlerësimit kalimtar të subjekteve të rivlerësimit, si dhe lalendari për organizimin e shorteve dhe veprimeve për përfundimin nga Inspektorati të raporteve për analizimin e aftësive profesionale të 35 subjekteve me përparësi në procesin e rivlerësimit kalimtar.

Në vijim, Këshilli vendosi deklarimin e mbarimit të statusit të magjistratit për shkak të mbushjes së moshës të pensionit të magjistratit Granit Qypi, gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës.

Bazuar në përcaktimet e rendit të ditës, Këshilli vijoi me shqyrtimin e projekt-akteve përfundimtare të vlerësimit, të përgatitura nga Kryeinspektori i Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në zbatim të Vendimit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë nr. 261/2, datë 14.04.2010 “Sistemi i Vlerësimit të Gjyqtarëve”. Në përfundim të këtij shqyrtimi, si dhe pas vlerësimit të ankimeve përkatëse, Këshilli miratoi aktet e Vlerësimit për gjashtë gjyqtarë.

Me përfundimin e akteve të Vlerësimit në mbledhjen plenare të datës 16.10.2017, Këshilli konstatoi përfundimin e vlerësimit profesional për gjyqtarët e shkallës së parë dhe të dytë për vitet 2007-2009, si dhe urdhëroi hartimin e raportit sipas nenit 171 pika 1 dhe 98 të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në RSH”.

Gjithashtu, Këshilli vendosi delegimin e disa gjyqtarëve në shqyrtimin e çështjeve të caktuara gjyqësore, në gjykata të tjera nga ku ata janë emëruar për të ushtruar funksionin e gjyqtarit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: