GJIROKASTER – Konventa Kombëtare e Lëvizjes Rinore për Integrim, çeli siparin nga Gjirokastra ku përmes parimit një anëtar, një votë, u zgjodh Kryetari i ri i këtij forumi në këtë qytet, z. Enea Ballo. Në këtë aktivitet ishin pjesëmarrës deputetët e LSI-së z. Vangjel Tavo‬ dhe znj. ‎Kejdi Mehmetaj‬, kryetarja e Bashkisë Gjirokastër, znj. ‎Zamira Rami‬ si dhe kryetari i LRI-së, z. ‪‎Endrit Braimllari‬.

Në fjalën përshëndetëse në këtë Konventë, deputeti i qarkut të Gjirokastrës, Vangjel Tavo u shpreh se të rinjtë e LRI janë nxitja për të punuar më shumë.

“E gjithë politika dhe shoqëria nuk duhet të lejojë që ëndrrat tuaja të plaken e më pas të shuhen. Ju jeni e ardhmja dhe është përgjegjësia jonë që të përpiqemi të punojmë më shumë që ju të keni një jetë më të mirë, më shumë punësim, më shumë mundësi, njësoj si bashkëmoshatarët tuaj evropianë. Ju jeni energjia e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Jeni forca jonë më e madhe. LSI e ka bazuar filozofinë e saj elektorale, politike dhe qeverisëse mbi nevojat, dëshirat dhe ëndrrat e Lëvizjes Rinore për Integrim. Jo vetëm që LSI ju konsideron si themelin e çdo aksioni apo veprimtarie politike, por edhe unë personalisht ndihem i privilegjuar që kam pasur mundësi të punoj krah për krah me ju në disa prej fushatave elektorale”, – tha z. Tavo.

Duke vlerësuar rolin e LRI-së në rezultatet e shkëlqyera të arritura në zgjedhjet parlamentare të 2013-s dhe ato vendore të 2015-s, z. Tavo tha se të gjitha fitoret dhe betejat tona politike kanë një emër, një autor që meriton respektin dhe mirënjohjen, që është pikërisht, Lëvizja Rinore për Integrim. “Me ju si ambasadorë të së ardhmes, me ju si frymëzues dhe burim energjie, ne mund të fitojmë çdo betejë. Ne mund të fitojmë çdo zgjedhje dhe mund të përballemi me çdo sfidë”, – tha z. Tavo.

Deputetja Kejdi Mehmetaj tha se “ne vijmë sot krenarë për të thënë që në këto katër vite kemi realizuar objektivat”.
“Është krenari që ta hapim Konventën Kombëtare të Lëvizjes Rinore për Integrim nga Gjirokastra sepse vërtet për ne LRI e Gjirokastrës ka qenë së paku për këto katër vite, krenari e jashtëzakonshme me gjithë aktivitetin dhe me gjithë rezultatet e shkëlqyera që ka arritur. Ne vijmë sot këtu pas katër vitesh punë. Në këto katër vite flasim për një ndryshim më të mirë, me një ndryshim të maturës shtetërore dhe njëkohësisht me ligjin e ri për ‘Arsimin e Lartë’. Flasim për më shumë hapësira për të rinjtë për punësim ku mund të përmendim programin e praktikave të punës, i cili ka qenë një propozim i yni në 2012 –n dhe sot një premtim i realizuar. Në të njëjtën kohë flasim për shumë të rinj të zgjedhur në parlamentet lokalë, mbi 80 prej tyre, dhe ku është një tjetër premtim i yni i realizuar”, – tha znj. Mehmetaj.

Në vijim të fjalës së saj, deputetja Mehmetaj u bëri thirrje të rinjve që të jenë gjithmonë bashkë dhe solidarë për të përballuar sfidat e së ardhmes.
“Jam e sigurt që ajo çka është më e rëndësishme, është ajo që na pret në vazhdim. Është e rëndësishme të themi që duhet të jemi të gjithë bashkë, duhet të jemi të gjithë solidarë, duhet të vazhdojmë të ruajmë traditën e mirë të qenurit një familje e madhe, një familje e bashkuar, ku punën e bëjmë me dashuri për njëri-tjetrin, me dashuri për LSI-në, dhe mbi të gjitha, me dashuri për vendin sepse kjo është e vetmja mënyrë për të ecur përpara dhe ta kemi gjithmonë kokën të ngritur për të kërkuar më shumë”, – tha znj. Mehmetaj.
Kryetari i Lëvizjes Rinore për Integrim, z. Endrit Braimllari u shpreh se sfida e LRI-së nuk është të sfidojë forumet e tjera rinore, të sfidojë politikën, por sfida është të përmirësojë vetveten.

“Sa herë vijmë në Gjirokastër është emocion i veçantë, jo vetëm për organizmin e LRI-së dhe të LSI-së së Gjirokastrës, por sepse jemi në vendin e kulturës, vendin e dijes, vendin e historisë dhe unë do të doja të falënderoja në radhë të parë gjithë të rinjtë dhe të rejat sepse vërtetë janë të mrekullueshëm, me vlera, me tradita dhe do të punojmë pa u lodhur që kontributi i tyre të rikthehet këtu në Gjirokastrës. Është shumë e rëndësishme që ne të bazohemi shumë te njëri-tjetri. Është shumë më e rëndësishme se përpara se të ecim në rrugën tonë të progresit, të dimë shumë mirë se me kë kemi punuar këto vite. Të dimë që të vlerësojmë të rinjtë dhe të rejat që na kanë përkrahur. Sfida jonë e vërtete nuk është të sfidojmë forumet e tjera rinore, të sfidojmë politikën, por sfida jonë është të përmirësojmë vetveten. Duhet të punojmë jashtëzakonisht shumë për të përmirësuar vetveten”, – tha z. Braimllari, i cili shprehu mbështetjen edhe për ekipin ri të LRI-së në Gjirokastër.

“Ju jeni dëshmitarë të këshillave tona bashkiakë, ku ne përfaqësojmë mbi 80 të rinj anembanë vendit. Në këshillat tona bashkiakë, nuk mendojmë se kemi bërë maksimumin, por një gjë e kemi të sigurt, jemi konkretë aty ku kanë probleme qytetarët e Shqipërisë, jemi konkretë, sepse Shqipëria dhe shqiptarët duan njerëz të thjeshtë, njerëz me energji që i shërbejnë vendit. Ndaj kam besim maksimal se ekipi ri do të vazhdojë rrugën e suksesit të ekipit të mëparshëm”, – tha z. Braimllari.

Kryetarja e Bashkisë së Gjirokastrës, znj. Zamira Rami vlerësoi rolin e rëndësishëm të LRI-së në zgjedhje.
“Drejtimi i ri duhet të tregojë që LRI në Gjirokastër është me të vërtetë frymëzim për çdo të ri i cii duhet të bëhet pjesë e këtij forumi. Dua të theksoj se ndihem krenare që ju ishin pjesë e skuadrës fituese në zgjedhjet e 21 qershorit 2015 dhe që rikonfirmuat edhe njëherë se pavarësisht gjithçkaje, ne jemi të gjithë së bashku. Bashkëjetesa paqësore, harmonia, mirëkuptimi, bashkëpunimi dhe të qenit pranë njëri-tjetrit, janë elementë që ne karakterizojnë”, – theksoi ndër të tjerash znj. Rami.
Zgjedhjet në Lëvizjen Rinore për Integrim do të vijojnë në mbarë Shqipërinë.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: