Nënkryetarja e Grupit Parlamentar të PS, Elisa Spiropali kritikoi kreun e Partisë Demokratike Lulzim Basha për takimin me përfaqësues të Partisë Kristian Demokrate Holandeze CDA, madje e konsideroi të turpshëm.

Në një reagim në “Facebook”, Spiropali thotë se Basha nuk i ka dalë në mbrojtje vendit të tij në lidhje me kërkesën e CDA për heqjen e vizave.

“Zoti Basha, a e ke ti një atdhe apo ke veç një karrige partie për të mbrojtur, mor burrë i dheut?”.

Ajo ka kërkuar shpjegime nga kryedemokrati për mënyrën e komunikimit me të huajt kundër vendit të tij dhe ziftin e derdhur pas disfatës së marrë në zgjedhjet parlamentare.

E menjëhershme ka qenë kundërpërgjigja nga ana e PD-së, ku deputeti Ervin Salianji shkruan: “Milionat e vjedhura në doganë e kanë bërë Elisën me çanta luksoze por nuk i blejnë dot mend”.

Kundërpërgjigjja e Salianjit

Milionat e vjedhura në doganë e kanë bërë Elisën me çanta luksoze por nuk i blejnë dot mend. Ashtu si Elisa mban Edi Ramën për Skënderbe, ashtu ngatërron atdheun me hajdutët në krye të tij.

Grabitën çdo gjë, tani Elisa dhe padroni i saj kanë shqetësim se po e merr vesh tërë bota se si qeverisin ajo dhe padroni i saj, ndaj kanë filluar të barazojnë veten me atdheun.

Elisa është e shqetësuar se një fondacion hollandez i CDA, që ka kontribuar shumë për demokracinë shqiptare, mos merr vesh se sa ka vjedhur Elisa me shokë se pastaj marrin inat Shqipërinë. Rama nuk duhet të trembet dhe shqetësohet, Hollandezët ashtu si dinë të dallojnë bordellot nga Rembrandi ashtu dinë te ndajnë hajdutët nga Shqipëria, të gjithë ata që kanë pak njohuri dhe mënd e dinë se Rama dhe te vetët nuk janë atdheu, nuk janë Shqipëria por mortja që i ka rënë Shqipërisë.

 (e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb