KUKES – Gjatë bashkëbisedimit me fermerët e Shishtavecit në Kukës, kryeministri Rama u njoh me vështirësitë dhe kërkesat e tyre, të cilat kishin të bënin kryesisht me rrugët. Kryeplaku i fshatit Borje e informoi kryeministrin se për të marrë pjesë në takimin me të, fermerët kishin udhëtuar rreth 1 orë e gjysmë në këmbë. Ai tha se rruga u është premtuar shumë herë, duke nisur që nga kryeministri Fatos Nano, por askush nuk i ka mbajtur premtimet.
Kryeministri Rama u përgjigj se Nanon e ka mik, por nuk mund t’i kërkojë llogari për premtimet e pambajtura.

Kryeplaku i fshatit Borje: Ne kemi ardhur një orë e gjysmë në këmbë për të marrë pjesë në këtë takim. Para disa ditësh ju kemi drejtuar një peticion lidhur me rrugën. Na është premtuar dhe stërpremtuar 100 herë.
Rama: Unë ju kam premtuar?
Kryeplaku: Jo, na ka premtuar edhe Fatos Nano.
Rama: Fatosin e kam mik, por nuk i kërkoj dot llogari. Nuk dua t’ju gënjej, por të duash rrena të ëmbla të jap adresa dhe i gjen. Radha vjen kur të vijnë mundësitë. Kësaj shtëpie i mungojë kate, tjegulla por ne po ngremë themelet.

BATUTAT MESUESI-RAMA
Mësuesi: Ne socialistët i themi drejt në sy problemet që kemi.
Rama: Ne e kemi këtë të mirë, sidomos pas shpine.
Mësuesi: Pushteti lokal këtu ka qenë i PD-së. Nuk është bërë rruga. Edhe unë kam qenë pjesë në këtë pushtet. Këtë zgjidhje e duam nga ju.
Rama: Banon në shtëpi private?
Mësuesi: Po, një shtëpi dy katëshe
Rama: Pse s’bën dhe një kat tjetër?
Mësuesi: S’kam mundësi.
Rama: Pse s’merr borxh?
Mësuesi: Sepse s’mund ta paguaj borxhin.
Rama: Dakord, ne s’kemi mundësi s’marrim dot borxh se s’mund ta paguajmë. Me radhë, është më e rëndësishme rruga e Shishtavecit. Sa fëmijë ke?
Mësuesi: Kam 5.
Rama: Të gjithë përnjëherë i ke bërë, apo një nga një. Si mund ta bëj unë për tre vjet atë që nuk është bërë për 25 vjet. Borxh nuk marrim dhe po ju them edhe një gjë tjetër, është shumë e rëndësishme. Eshtë hera e parë në 26 vjet, që qeveria do të rrisë rrogat dhe pensionet pa rritur borxhin.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb