Kohët e fundit po flitet shpesh për Gylenin dhe ‘gylenistët’ në Shqipëri. Nuk kanë munguar edhe akuzat se Turqia dhe vetë Erdogan nuk e duan kryetarin aktual të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, për shkak se sipas tyre ai është një gylenist.
I pyetur në emisionin “Real Story” në lidhje me akuzat që janë bërë ai ka dhënë këtë përgjigje:

“Mbaj mend kur kam qenë në klasë të 7-8, pak para se të binte komunizmi, dhe mësuesi bëri një konkurs për poezinë. Unë dola i pari dhe mësuesi e vendosi poezinë time në krye të klasës. Një nga drejtuesit e shkollës e grisi poezinë time sepse isha djali i kulakut. Dhe babai tha: Kështu do partia o bir! Sikur im atë të ishte gjallë dhe të më pyeste: Përse të quajnë gylenist? Unë do ti jepja të njëjtën përgjigje: Sepse kështu do partia…”

I pyetur për zërat kundër tij brenda radhëve të KMSH, Bruçaj tha se imamët janë liruar nga detyra në përputhje me statutin dhe rregullat.

“KMSH bën qarkullim imamësh në bazë të statutit që ka. Ne stafin e kemi të ndarë në disa kategori, imamë, myftinj, hoxhallarë. Sikurse edhe institucionet siç janë medresetë. Dhe unë vetë vij nga këto institucione. Por gjithmonë ka pasur paragjykime ndaj drejtuesve si në rastet ndaj Sabri Koçit, Sali Muçës” – tha Skënder Bruçaj

Bruçaj është shprehur gjithashtu se nuk do të pranojë që kreu i një shteti tjetër të ndërhyjë në punët e brendshme të Komunitetit Mysliman Shqiptar.
Madje, kreu i KMSH u shpreh se nëse politikanët vendas e të huaj nuk do të jenë të pranishëm në inaugurimin e “Namazgjasë”, kjo nuk do të ishte ndonjë humbje e madhe.