GJERMANI- Arrestohet në Gjermani Arbër Çekaj, administrator i firmës ‘Arbi Gardën’, që kishte porositur ngarkesën me banane, ku u kapën 613 kg kokainë që vinte nga Kolumbia.

Mësohet se Çekaj u kap në një provincë pranë Dysedorfit, në sajë të bashkëpunimit mes policisë gjermane dhe asaj shqiptare. Kështu, Policia e Shtetit deklaroi zyrtarisht se për operacionin u shkëmbye informacion në kohë rekord midis palës shqiptare dhe agjensive të tjera si dhe me Prokurorinë e Krimeve të Renda. “BalkanWeb” mëson se Çekaj do të ekstradohet në Shqipëri, ndërsa do të përballet me akuzat që rëndojnë për trafik droge, ndërkohë që gjykata ka caktuar ndaj tij masën ‘arrest me burg’ në mungesë.

“Ne kuader te bashkepunimit me agjensite e huaja ligjzbatuese dhe konkretisht ate Gjermane eshte bere e mundur lokalizimi dhe arrestimi i shtetasit Arber Çekaj. Arber çekaj eshte pronari i firmes Arbi Garden ku u sekuestruan 613 kg kokaine ne kiader te operacionit “last snow”. U shkembye informacion ne kohe rekord midis Policise se Shtetit dhe agjensive te tjera si dhe me Prokurorine e Krimeve te Renda”, thuhet në reagimin e Policisë së Shtetit.

Kokaina ishte fshehur në kontenier me dysheme të dyfishtë, të ngarkuar me banane. Operacioni nisi gjatë mbrëmjes së datës 27 shkurt 2018, në Portin Detar të Durrësit, në momentin që ngarkesa e ligjshme me banane, u mor në dorëzim nga firma porositëse “Arbri Garden” shpk, me pronar Arbër Çekajn. Sasia e lëndës narkotike ishte e paketuar në 528 pako, të mbështjella me letër natriban me kode të vendosura nga trafikantët.

Kujtojmë se një ditë pas operacionit ku u kap sasia rekord e kokainës, në një intervistë ekskluzive për ‘News24’ nga Gjermania, Arbër Çekaj mohoi kategorikisht akuzat se kishte lidhje me drogën.

“Përshëndes News24 dhe publikun tuaj. Jam në një situatë të pafavorshme në fakt që nuk ka asnjë lidhje me kompaninë time, as me personalitetin tim, e as të familjes sime. Jam një biznesmenë modest në Shqipëri dhe ka shumë spekulime në media dhe çdo gjë politizohet. Desha të jap versionin tim. Do vij në Shqipëri shumë shpejt, jam nisur për të ardhur në Shqipëri. Do shkoj në organet përkatëse, në prokurori për të dhënë versionin tim i cili hedh poshtë të gjitha hipotezat që janë dhënë deri tani, qoftë në media, qoftë edhe nga policia”, deklaroi Çekaj më 1 mars.

Ndërkohë, numri i të arrestuarve në lidhje me këtë operacion shkon në tre, pasi para 2 muajsh u arrestuan Donaldo Lushaj, nga Tropoja dhe Armando Pezaku nga Durrësi, të dy 25 vjeç.

Sakaq, arrestimin e Çekajt e ka kërkuar publikisht edhe ambasadori Donald Lu, ndërsa e cilësoi atë si ‘peshk të madh’. Sot ambasadori Donald Lu kërkoi sërish arrestimin e Çekajt. Po ashtu dhe ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj paralajmëroi se policia e Shtetit do të finalizonte sot dy operacione me autoritetet gjermane dhe spanjollet. Nga Lezha ku ishte në Forumin e Sigurisë, Xhafaj deklaroi se jo më larg se sot pasdite policia e Shtetit do të finalizojë këto operacione që godasin një aktivitet të rëndë kriminal, duke nënkuptuar kështu edhe operacionin në fjalë. “Jo më larg se sot, pasdite Policia e Shtetit ka dy operacione të suksesshme me Spanjën dhe Gjermaninë që kanë të bëjnë me aktivitet të rëndë kriminal dhe ne kemi filluar njëkohësisht me partnerët tanë çështjet penale”, tha Xhafaj.

AMBASADORI LU: ARBËR ÇEKAJ ‘PESHK’ I MADH, TË VIHET PARA DREJTËSISË
Në një prononcim ekskluziv për ‘News24’ dhe ‘BalkanWeb’, ambasadori amerikan Donald Lu komentoi në muajin mars kapjen e 613 kg kokainë në Durrës si dhe deklaroi se pronari i ‘Arbri Garden’, Arbër Çekaj se ishtë një ‘peshk’ i madh.

“Nga çdo këndvështrim, Arbri Çekaj është një peshk i madh. Kompania e tij importoi një ngarkesë bananesh që përmbante sasinë më të madhe të kokainës në historinë e Shqipërisë. Ai është hetuar më parë për trafikim kokaine nga prokurorët shqiptarë. Ne përgëzojmë punën e prokurorëve të Krimeve të Rënda që kërkuan urdhër arrestin për zotin Çekaj. Shqipëria ka një histori të gjatë arrestimesh të ngjalave dhe injorimi të peshqve të mëdhenj. Kjo gjë merr fund sot. Ne i bëjmë thirrje partnerëve ndërkombëtarë të Shqipërisë që të gjejnë zotin Çekaj dhe ta dorëzojnë atë përpara drejtësisë”- tha Donald Lu në atë kohë.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: