KOSOVE- Pas një seance maratonë, Kuvendi i Kosovës ka arritur të ratifikojë marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Me 80 vota pro, 11 kundër dhe asnjë abstenim, deputetët e Kuvendit i dhanë dritën jeshile kësaj marrëveshje.

Gjatë seancës së sotme u hodh katër herë gaz lotsjellës nga deputetët e Vetëvendosje të cilët kundërshtojnë këtë marrëveshje, por në fund është arritur që të miratohet me 80 vota pro. Pesë deputetët e Vetëvendosjes u përjashtuan dhe disa prej tyre u arrestuan.

Marrëveshja e Demarkacionit ndërmjet Kosovës dhe Malit ishte firmosur në Vjenë më 26 gusht të vitit 2015 nga Presidenti i tanishëm, Hashim Thaçi asokohe, ministër i jashtëm, dhe ish-ministri i brendshëm, Skender Hyseni. Për palën malazeze firmosën ministri i Jashtëm, Igor Llukshic, dhe ai i Brendshëm, Rashko Konjevic.

Që nga ajo kohë, kjo ujdi ka hasur në kundërshtime të mëdha të opozitës me arsyetimin se Kosova po humb 8 mijë hektarë tokë.

Në mesin e atyre që ishin kundër Demarkacionit ishte edhe kryeministri aktual, Ramush Haradinaj në kohën kur ishte në opozitë.

Haradinaj në ditën e parë të punës në krye të ekzekutivit ka shkarkuar komisionin për shënimin e kufirit duke emëruar Shpejtim Bullicin si udhëheqës të ekipit të ri.

Pas votimit të Demarkacionit, lufta kundër krimit dhe korrupsionit mbetet kushti vetëm i Bashkimit Evropian për t`u hequr vizat shqiptarëve në Kosovë.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb