TIRANE- Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka nisur paraditen e sotme një dëgjesë me artistët për çështjen e Teatrit Kombëtar. Teksa ka theksuar se do të ketë transparencë për këtë çështje, Veliaj ka dhënë disa argumente për Teatrin Kombëtar.
Ai tha se deri më tani çdo projekt i madh është shoqëruar me debate, ndërsa ka theksuar se nga diskutimi i hapur arrihen edhe zgjidhjet e duhura.

Veliaj shprehu bindjen se sikurse çdo projekt tjetër i Bashkisë së Tiranës, edhe ai për Teatrin e ri do të rezultojë një sukses i vërtetë. Kreu i Bashkisë deklaroi se ky debat për një teatër të ri daton që në ‘98, kur vetë artistët shprehnin pakënaqësi Kreu i Bashkisë së Tiranës deklaroi se që në 1954 Ministria e Industrisë dhe Ndërtimit ka një korrespondencë me Drejtorinë e Teatrit Popullor ku shpreh mendimin që teatri të transferohet tek salla e Kuvendit popullor sepse nuk përmbush kushtet.

“Pra plot 64 vjet më parë. Që atëherë situata vetëm është përkeqësuar. Në 2004 Këshilli Shkencor i Institutit të Monumenteve të Kulturës e klasifikoi ndërtesën e Teatrit Kombëtar si një ndërtesë pa vlerë”, u shpreh ai.

Me tej Veliaj tha se studimi shkencor i vitit 2007-2008, “Architettura Moderna italiane për le citta D’Albania,” publikom raporte të italianëve ku theksohet se qëllimi i ndërtimit të kësaj godine që në 1938 nga një kompani italiane ka qenë shfrytëzimi i ambienteve të saj për arsye argëtimi dhe aktivitete sportive. Studimi shkencor sqaron se për shkak të nevojës për të minimizuar kostot në situatë lufte, edhe për ndërtimin e kësaj godine që kishte qëllim tjetër, janë përdorur materiale me kosto të ulët, madje materiale skarco, si tallash e alga deti;

“Relacioni i vitit 2014 të Institutit të Monumenteve të Kulturës thotë se Gjendja e përgjithshme e objektit shfaqet e rënduar dhe e amortizuar në kohë. Gjatë viteve, në objekt është ndërhyrë pjesërisht në rifiniturë, dhe në mirëmbajtjen e pjesëve të dukshme të tij. Ndërhyrje rrënjësore në strukturë, nuk ka pasur asnjëherë që prej kohës së ndërtimit të tij.

Akt kontrolli i bërë më 2014, pa qenë unë kryetar bashkia, pa pasur lidhje me këtë realitet, nga inspektorët e parandalimit pranë shërbimit zjarrfikës të Tiranës konstaton sesa e rrezikshme është situata e zjarrit”, u shpreh ai.

Kreu i Bashkisë nënvizoi se edhe raporti i 2018 i Institutit të Ndërtimit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për godinën e Teatrit Kombëtar në 23 mars 2018 thotë se nga inspektimi i situatës së godinës situata paraqitet shumë problematike me përkulje dhe dëmtime në disa zona të soletës dhe me ambiente që nuk ofrojnë kushtet jo vetëm për stafin por edhe për qytetarët që e frekuentojnë.

Më tej Veliaj renditi listë shumë të gjatë gjërash që duhet të kenë një teatër modern, por që i mungojnë teatrit ekzistues dhe nuk mund të instalohen atje:

– Biletari

– Gardërobë për spektatoret

– Zyra për administratën

– Dhoma zhveshjes për artistët

– Dushe për aktoret

– Dhoma provash

– Dhoma teknike për sisteme kontrolli apo pulti i komandimit

– Sistem Audio dhe video projektimi

– Dhoma akustike apo regjistrimi

– Infrastrukturë regjistrimi video të shfaqjeve

– Tualete për spektatorët të përshtatshme për kapacitetin e teatrit

– Dalje emergjence

– Sisteme sigurie

– Sisteme kundra zjarrit

– Sisteme që garantojnë energjinë elektrike

– Arkivë

– Dhomat e grimit

– Sallë për të ngrohur muskulaturën përpara performacës së artistit

– Kostumografia, rrobaqepësi, hapësira pune dhe gardërobë

– Skenografia, hapësira pune, depo materialesh

– Hapësirë për orkestër në veprat që e përmbajnë atë

– Hapësira prapaskene, mbi skenë apo nën skenë

– Krahët e skenës dhe qarkullimi i aktorëve përgjatë shfaqjes

– Dhomë konference apo media ku lancohen shfaqjet

– Hapësira qarkullimi të veçanta për aktoret, administratën dhe publikun

– Sisteme ndriçimi dhe dhoma kontrolli

Veliaj shprehu interes ndaj ideve të artistëve dhe theksoi se duam të dëgjojmë secilin dhe për vlerat emocionale. “Vlera emocionale dhe historike e godinës patjetër që është një faktor por unë besoj se vlera reale e teatrit jeni ju. Ju mund të bëni teatër në çdo godinë. Teatri janë njerëzit. E vetmja gjë e pazëvendësueshme janë njerëzit. Trashëgimia reale e teatrit janë njerëzit”, deklaroi Veliaj.

(BalkanWeb)