TIRANE– Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili deklaroi se forca që ai drejton mbështet pikë për pikë paketën ‘McAllister’, duke qëndruar kështu në një linjë me opozitën.

Pak pas përfundimit të tryezës ku palët politike u ulën për dialog për zgjidhjen ngërçit politik, Vasili tha se kjo paketë duhej të ishte pranuar me kohë.

“Sot patëm mundësi që të zhvillonim një dialog më të gjerë pasi kishte pjesëmarrje të të gjitha partive, ishte e dobishme, pasi u diskutua në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe u njohëm në mënyrë të detajuar negociatat me PD dhe PS në momentin e fundit pas takimit të Yee dhe paketa McAllister. Kjo ka qenë baza e diskutimit. Ne të LSI jemi të bindur dhe të palëkundur që paketa MCallistër duhet të zbatohet pikë për pikë, duhej pranuar që në momentin kur ajo u bë publike. Nuk është kurrë vonë”, tha Vasili.

Ndër të tjera, Petrit Vasili u shpreh se paketa ‘McAllister’ krijon një besim të duhur për zgjidhjen e ngërçit.

“Ishte një paketë që duhej pranuar që në momentin që u bë publike, por asnjëherë nuk është vonë. Paketa krijon një besim të duhur për zgjidhjen e ngërçit, Problemi kryesor është vlerësimi i kohës, pasi çdo minutë e kohës së humbur është në dëm të vendit. Çdo shkarje nga një përgjegjësi do të thotë shkarje e cenimit të stabilitetit të vendit. Paketa e ‘McAllister’ ka dhe një datë zgjedhjesh e cila është 16 korriku”- tha Vasili.

Ndërkohë sa i përket pyetjes mbi paketën e ofruar nga Rama, Vasili tha se ai do prononcohet vetë.

“Rama do prononcohet vetë për paketën e tij. Ka një diskutim kokë më kokë Rama-Basha. Duke pasur në dorë paketën ‘McAllister’, nuk mendoj se ka arsye që të mos zgjidhet ngërçi”- u shpreh kreu i LSI.

(ed.me/d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb