TIRANE- Me një fjalor të ashpër dhe tone paralajmëruese, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka sulmuar sot kryeministrin Edi Rama duke e akuzuar jo vetëm për keqqeverisjen e vendit dhe aleancën me krimin por edhe se po përdor mediat kundër opozitës.

Teksa qëndroi në këtë linjë, Basha me tone të larta tha se kjo është ‘luftë për jetë a vdekje’, duke paralajmëruar faktin se askush nuk kishin parë ende asgjë.

Lideri i opozitës, i cili sapo ishte kthyer nga Malta, ku mori pjesë në takimin e Partisë Popullore Europiane, pohoi se nisma e PD-së gëzon mbështetjen e aleatëve të BE-së.

“Ju sjell përgëzimin dhe mbështetjen e liderëve të partive tona simotra, në qeveri, apo në pozitë, anembanë BE dhe drejtuesve më të lartë të Be. (Rama ik, Rama ik brohorasin protestuesit). Betejën e nisim në 18 shkurt do të vazhdojë deri në fitoren e plotë, deri në garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, përmes një qeverie teknike që do bëjë detyrën. Ky është mesazhi që përsëris sot, e kam thënë çdo ditë, për çdo qytetar, për çdo kënd që ka vesh të dëgjojë e mëndje të mendoj. Kjo qeveri e rëndë moralisht do të bjerë së shpejti edhe juridikisht. Sot i sapokthyer nga Malta dhe pasi kam dëgjuar broçkullat e mediave qeveritare, siç u do prapanica, lidhur me fjalët e aleatëve tanë, jo e tyrja, por e tija (Rama). Ne jemi për fatin e gjithë shqiptarëve të ndershëm. Qeveria teknike është mjeti, kushti, beteja nga e cila nuk kthehemi pa fitore, që janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme, do të thotë në radhë të parë zbatim i ligjit të dekriminalizimit. Nga Malta kthehem me mbështetjen e kreut të EUROPOL-it.”, tha Basha.

Kryedemokrati foli për peshq të mëdhenj e të vegjël, duke iu referuar këtu politikanëve shqiptarë, ndërsa u shpreh i bindur se me ndihmën e Europol do t’i kapë të gjithë ata dhe do t’i detyrojë të kthejnë paratë e grabitura.

“Kjo është luftë për jetë a vdekje,do zgjedhim një Shqipëri evropiane apo Shqipëri të bërë zap nga krimi. Çdo kriminel do largohet nga funksionet publike para se në këtë vend të ketë zgjedhje”, tha ai duke paralajmëruar “nuk keni parë asgjë akoma”.

“Në bashkëpunim me Europolin do t’ju gjurmojmë dhe do ju ndjekim, nuk ka vrimë miu ku t’i fshihni paratë e krimit dhe drogës. Rrjeta europiane do t’ju ndjekë, oqean më oqean. Peshq të mëdhenj e të vegjël, bëhuni gati paratë që ia keni vjedhur shqiptarëve do t’i dorëzoni deri më një”,- nënvizoi ai.

Fjala e plotë

Mirëse ju gjej në këtë ditë të bekuar të fundit të javës së shtatë dhe fillimit të javës vendimtare për fitoren e betejës sonë për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Dua të falenderoj nga zemra 70 pedagogët që gjenden sot këtu në këtë çadër të lirisë, në këtë shesh të lirë bashkë me qindra mijëra qytetarë që përbëjnë tash 42 ditë jo thjesht dhe as vetëm opozitën; kjo ditë e 42-të, bekon para kombit, para historisë dhe para Zotit këtë lëvizje, si një lëvizje kombëtare, si një lëvizje popullore, si një lëvizje historike që tejkalon kufijtë e opozitës dhe çdo partie politike.

Ju sjell përshëndetjet dhe solidaritetin e Partisë Popullore Europiane dhe partive tona simotra, nga Kongresi i Mbajtur në Maltë. Ju sjell mbështetjen e liderëve e partive tona simotra në qeveri apo në opozitë, anembanë Bashkimit Europian dhe drejtuesve më të lartë të institucioneve të Bashkimit Europian.

Beteja e nisur më 18 shkurt do të vazhdojë deri në fitoren e plotë, deri në garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme përmes një qeverie teknike që do të bëjë detyrat e ngarkuara nga populli.

Ky është mesazhi që kemi thënë çdo ditë. Ky është mesazhi që përsëris sot, jo vetëm për ju, bashkëluftëtarë të nderuar, bashkëqytetarë që jeni ngritur për Republikën e Re, por për çdokënd që ka vesh të dëgjojë dhe ka mendje të kuptojë.

Shumëkush i bindur se kjo qeveri e rënë moralisht, do të bjerë së shpejti edhe juridikisht, shtron pyetjen, paraqet dilemën nëse zgjedhjet do të jenë të lira dhe të ndershme me një qeveri teknike që nuk ka kohën apo pushtetin e mjaftueshëm për të shpërbërë deri në fund lidhjet kriminale që ngriti në pushtet Edi Rama dhe çeta e tij e hajdutëve të babëzitur?

Sot, i sapo kthyer nga Malta, dhe pasi kam dëgjuar broçkullat e mediave qeveritare që interpretojnë siç u do prapanica fjalët e aleatëve tanë, dua t’u them se; nuk kanë asnjë shans, zero shans, që ne të pranojmë një qeveri teknike kukull sepse në këtë betejë nuk jemi për veten tonë, sepse në këtë betejë nuk jemi për karriket tona, në këtë betejë nuk jemi për fatin e partisë sonë, por për fatin e të gjithë shqiptarëve të ndershëm dhe ne as nuk kërkojmë as nuk do të pranojmë një qeveri teknike fasadë. Qeveria teknike është mjeti, ndërsa kushti, beteja, nga e cila nuk kthehemi pa fitore, janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

Dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme do të thotë në radhë të parë zbatim deri në një i ligjit për dekriminalizimin. Deri në një, do të thotë nxjerrjen nga funksionet publike të deputetëve, të kryetarëve të bashkive dhe çdo funksionari publik me rekorde kriminale.

Nga Malta kthehem me garancitë e një miku të hershëm, drejtorit të Përgjithshëm të EUROPOL-it, me bazë në Hagë, Rob Wainwright, me të cilin kam bashkëpunuar ngushtë si Ministër i Brendshëm për të hequr vizat për qytetarët shqiptarë dhe të cilit i kam kërkuar një protokoll special bashkëpunimi, që do të vërtetojë, jo për një muaj, as për një javë, por brenda ditës shenjat e gishtave të kriminelëve politikanë dhe politikanëve kriminelë.

Prandaj ju them, ju gënjen mendja, kjo nuk është shfaqje, kjo nuk është teatër, kjo është luftë dhëmb për dhëmb me krimin në politikë dhe politikën e inkriminuar. Kjo është luftë për jetë a vdekje, për Shqipërinë demokratike, europiane dhe euroatlantike, ose Shqipërinë e bërë zap nga krimi. Dhe në këtë betejë kemi vënë zemrën tonë, pasionin tonë por dhe vendosmërinë tonë.

Çdo kriminel do të largohet nga funksionet publike, para se në këtë vend të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Prandaj me Rrosh, e me Bush, e me gjithë sa jeni nuk keni parë asgjë akoma!

Shefave tuaj po ju jap edhe lajmin tjetër, e kanë marrë me shkrim mbrëmë; ose s’kanë fjetur, ose kanë shtuar dozën. S’ua kemi ne fajin, fajin e keni vetë: Çështja e dytë që kam diskutuar me Rob Wainright ka të bëjë me atë që ne, nuk do të paguajmë ne miliona euro kompani private të shtrenjta për të gjurmuar se ku i keni futur ju paratë që u keni vjedhur shqiptarëve dhe paratë e drogës. Sepse në bashkëpunim me EUROPOL-in do t’i gjurmojmë deri në ishujt më të largët dhe do  t’ua konfiskojmë paratë që u keni marrë qytetarëve shqiptarë.

Nuk ka vrimë miu ku t’i fshihni paratë e vjedhura dhe paratë e drogës, rrjeta europiane dhe amerikane po tendoset oqean më oqean. Peshq të mëdhenj dhe peshq të vegjël, bëhuni gati, paratë që ua keni vjedhur shqiptarëve do t’i dorëzoni deri në një!

Ne luftojmë për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe ky është një parim i madh. Ata luftojnë për të ruajtur pushtetin dhe pasuritë që kanë vënë përmes korrupsionit dhe drogës, dhe këto janë interesa të mëdha.

Sepse edhe ne me zgjedhje të lira dhe të ndershme duam që këto para që vidhen ditë për ditë e nuk shkojnë për shëndetin, arsimin, pensionet, punësimin dhe rrogat e shqiptarëve, t’i vendosim pikërisht në funksion të një ekonomie që rritet dhe garanton punësim, t’i vendosim pikërisht për të rritur pensionet e shqiptarëve në mënyrë që në fund të katër viteve të para të Republikës së Re të mos ketë pension nën 250 mijë lekë për shqiptarët dhe shqiptaret.

Pikërisht që shëndeti publik të ketë financimin e mjaftueshëm, dhe jo financimin e mjaftueshëm për Nushet me shokë, por për spitalet dhe kujdesin shëndetësor ndaj pacientëve shqiptarë. Pikërisht që paratë të mos shkojnë tek Çilat me shokë, por të shkojnë tek studentët shqiptarë, të cilët të mund të studiojnë pavarësisht prej mundësive të tyre ekonomike dhe të jenë pjesë e një shoqërie të zhvilluar dhe europiane.

Por asgjë nuk ka për të ndryshuar. Asgjë nuk do të ndryshojë sa kohë që krimi është në pushtet. Nuk do të ndryshojë sa kohë që krimi është në pushtet dhe pushteti i inkriminuar rrezikon zgjedhjet e lira dhe të ndershme.  Nuk ka për të pasur ekonomi të zhvilluar, as punësim për shqiptarët, as liri për sipërmarrjen, as mundësi për studentët, as shëndetësi më të mirë, as pensione më të larta sa kohë që vendi është nën zgjedhën e krimit.

Prandaj e bëjmë këtë betejë dhe prandaj do ta bëjmë,  derisa kjo betejë të kurorëzohet me fitoren e qytetarëve shqiptarë dhe të Shqipërisë evropiane, demokratike. Hapim një derë të re me këtë lëvizje madhështore, popullore. Ndaj dhe është një lëvizje historike jo për epos, as për histori për hir të historisë, por sepse këtu nga ky shesh do të çlirohet ekonomia, punësimi, shëndetësia, arsimi, pensionet, mirëqënia sociale për të gjithë shqiptarët. Duke çliruar Shqipërinë nga zgjedha e krimit me zgjedhje të lira e të ndershme.

Tani për mashtruesin që nuk di të lexojë Kushtetutën, po na lexoka rezolutën e partisë sonë, se punë tjetër nuk ke dhe lexon rezolutën e partisë sonë, po të them se të është vënë kryqi në Francë në gjoks, po në Maltë ta kanë vënë kryqin në kokë, të gjitha vendet anëtare të BE-së. Ta kanë vënë kryqin sepse tashmë e gjithë bota dhe Europa e dinë që ti e ke shndërruar Shqipërinë në një parajsë të krimit të organizuar, ku lulëzon kanabisi, ku kalon heroina, ku përpunohet kokaina dhe ku pastrohen paratë e zeza të krimit të organizuar shqiptar dhe rajonal.Të gjithë e dinë, të gjithë e dinë që je tashmë, barrë, je kosto, je kërcënim jo thjesht për popullin shqiptar, por për mbarë rajonin, stabilitetin rajonal, demokracinë dhe vetë aspiratat europianë të popujve të Ballkanit.

Ndaj, orët i ke të numëruara. Kjo lëvizje popullore ia ka dalë me sukses të tregojë më në fund të vërtetën që je përpjekur ta fshehësh me paratë e drogës dhe korrupsionit që kanë blerë stacionet televizive, gazeta, firma lobimi.

Po, po, sepse këta di ti paguash mirë për të gënjyer, për të fshehur të vërtetat, i  paguan me para, i paguan me çeqe, i paguan me vila. Por koha e gënjeshtrës ka mbaruar. E vërteta si ky diell pranveror e ka përveluar, e vërteta po fiton dhe e drejta do të fitojë me zgjedhje të lira e të ndershme për shqiptarët dhe Shqipërinë evropiane.

Prandaj bëhu gati,  sepse me të vërtetë s’ke parë gjë akoma. Si the, negociata me dy kushte jo qeveri teknike dhe zgjedhjet të mbahen më 18 Qershor?! PO, qeveri teknike dhe: zgjedhje vetëm të lira e të ndershme, vetëm me çmontimin e krimit,  vetëm kur vota e çdo shqiptari të garantohet. Këto janë kushtet e sovranit, vëri gishtin kokës, ose përndryshe do të pendohesh shumë shpejt.
(ed.me/m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb